Tentoi të vriste administratorin e shkollës "Wilson" te Liqeni i Thatë, arrestohet autori

Është arrestuar 31 vjeçari, i dyshuar si autor i atentatit ndaj administratorit të shkollës "Willson" Lulzim Masha, 63 vjeç.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi S. T., 31 vjeç, i cili akuzohet për "Vrasja me paramendim" e mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

" S. T., 31 vjeç, për veprat penale "Vrasja me paramendim" e mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". Ky shtetas me datë 18.01.2022, te nënkalimi te Liqeni i Thatë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin L. M., 63 vjeç."- njofton policia.

Masha, 63 vjeç i mbijetoi një sulmi me armë ndaj tij në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë mesditën e 18 janarit 2022.

Sipas policisë, sipërmarrësi po lëvizte me makinën e tij te nënkalimi te Liqeni i Thatë, kur autori i cili tashmë ndodhet në pranga, ka qëlluar me armë drejt automjetit të tij.

Policia njoftoi se atentatori ka qëlluar tri herë më armë zjarri, ndërsa dy plumba kanë prekur automjetin e biznesmenit.

Dëshmitarët kanë pohuar se arma ka qenë me silenciator pasi nuk kanë dëgjuar krisma në vendin e ngjarjes.

Identikiti i autorit 

Burime hetimore paraprake bënë me dije se 63-vjecari Lulzim Masha dyshohet se i ka parë lëvizjet e autorit. Në dëshminë paraprake, ai ka treguar identikitin e atentatorit, por nuk dihet ende emri pasi biznesmeni ai nuk e ka njohur.

Gjatë dëshmisë së tij në polici biznesmeni ka thënë se autori ishte një i ri në moshë, reth 1.75 i gjatë, esmer në fytyrë dhe me mjekër, rreth moshës 25-vjeç.

63 vjeçari ka shpjeguar më tej se autori nuk i ka komunikuar asgjë, vetëm ka qëlluar dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Lulzim Masha ka shpjeguar se ka lëvizur makinën disa metra nga vendi i ngjarjes, dhe ka kontaktuar policinë.

Sipas dëshmisë së tij në momentin kur ka ndodhur sulmi, autori i të shtënave i ka dalë përpara dhe më pas është larguar në këmbë rrugicave të zonës duke humbur gjurmët.

Policia tha se po heton në dy pista në lidhje me ngjarjen, atë të konflikteve ose problemeve familjare si dhe mosmarrëveshjet në lidhje me detyrën e 63-vjeccarit si administrator i shkollës private.