Demokratët zgjedhin kryetarët, votohet në Fier, Fushë Krujë dhe Selenicë
Partia Demokratike vijon procesin e zgjedhjeve të brendshme që do të paraprijë Kuvendin e 30 prillit, thirrur nga Komisioni i Rithemelimit. Këtë të dielë ishin demokratët në Fier, Fushë Krujë e Selenicë që zgjodhën kryetarët e degëve.
Partia Demokratike ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme të strukturave në rrethe nën drejtimin e Komisionit të Rithemelimit.
Këtë të dielë anëtarësia u thirr për të zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë kryetarët e degëve në Bashkitë Fier, Selenicë dhe Fushë Krujë.
Për postin e kryetarit të PD në degën Fier garojnë Gentian Varfi, Rrapi Gjika dhe Vladimir Kajolli.
Dy kandidatët për degën e Fushë-Krujës janë Agron Loka dhe Aqif Mesi, ndërsa për Selenicën janë Gazmir Beqaj dhe Leonard Rakipaj.
Për deputetin demokrat, Luan Baçi, procesi që do të shtrihet në të gjithë strukturën tregon se Partia Demokratike tashmë është e bashkuar.
"Shumë anëtarë të PD, disa drejtues departamentesh që kanë qenë në kuvendin e 18 dhjetorit. Dega e Fierit është shumë e bashkuar, e njëjta gjë ishte dhe në Mallakastër."
Zgjedhjet në bazën e PD i hapin rrugës mbledhjes së Kuvendit të 30 prillit, thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, ku pritet të zgjidhet Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e partisë, por jo kryetari.