Një rrugë në Bronks të SHBA merr emrin Fan Noli
Kjo e shtunë, 9 prill, ishte një ditë e shënuar për gjithe komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi një rrugë në një prej lagjeve me përqëndrimin më të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan, Bronx, u emërtua me emrin Fan Noli.
Një nderim i jashtëzakonshëm për Fan Nolin, një prej figurave më të larta kombëtare dhe veçanërisht i diasporës shqiptare.
Një ndër personalitetet më të shquara të kombit, kontribues në të gjitha segmentet e jetës kombëtare, politike, diplomatike, krijuese e fetare.
Gjithë jeta dhe vepra e tij multidimensionale janë themele të forta të letrave, kulturës, diplomacisë dhe historisë sonë kombëtare.
Ky aktivitet u organizua nga Mark Gjonaj, drejtues i komunitetit shqiptar dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Diasporës, dhe nga VATRA, ndërsa përshëndetën një numër drejtuesish të lartë politik të qytetit, ndërmjet të cilëve dhe Senatori Chuck Schumer.
Ambasadorja Floreta Luli-Faber gjatë fjalës së saj theksoi se “Fan Noli njihet si kontribues i themelimit të disa institucioneve të diasporës shqiptare në SHBA, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, bashkëthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe drejtues i gazetës Dielli. Ai ishte një nga zerat e fuqishëm për pranimin e Shqipërise në Lidhjen e Kombeve. Ai ishte Kryeminister i vendit, një qytetar me shpirt të lire, demkrorat dhe patritot.
Fan Noli lindi dhe vdiq jashte Shqipërisë por jeten e tij ja dedikoi vetëm atdheut të tij dhe për këtë kombi yne është shumë mirënjohë jetës dhe veprës së tij. Fan Noli është një nga shembujt më të mirë të kontributit të diasporës shqiptare në çështjen kombëtare, në demokratizimin e jetës shqiptare dhe në ndërtimin dhe rritjen e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ceremonia për t’i dhënë një prej rrugëve emrin e tij, e organizuar pikërisht në vitin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, për të cilat ai kontribuoi kaq shumë. Rruga Fan Noli në Nju Jork do te jetë edhe një busull për brezat e rinj, për t’i orientuar ata në dhënien e kontributit të tyre në fuqizimin e Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare.”