Artan Cuku, Qytetar Nderi i Kamzës pas vdekjes, Manja: S'duhet të kemi më policë të vrarë nga bandat
Ish-drejtuesit të policisë së Vlorës Artan Cuku i është dhënë pas vdekjes, titulli "Qytetar Nderi" në Kamëz ku dhe Pallati i Kulturës do të mbajë emrin e tij. Të pranishëm në ceremoni përvec familjarëvë ishin edhe kolegët e tij, të cilët përmes nje dokumentari treguan momente nga jeta dhe karriera e Artan Cukut.
Pallati i Kulturës së Bashkisë së Kamzës do të mbajë emrin e ish-punonjësit të policisë Artan Cuku, i cili u vra në vitin 2017 në hyrje të banesës së tij në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, një dokumetar prezantoi jetën dhe veprimtarinë e komisarit Artan Cukut, përmes rrëfimeve të familjarëve, kolegëve dhe drejtuesve e ish- drejtuesve të policisë.
Bashkëshortja e oficerit të vrarë kujtoi të shoqin përmes një rrëfimi emocional.
"Ka lënë një mungesë të madhe. E vetmja gjë që më mban në këmbë janë këto grimca që mundohem ti bëj bashkë dhe të them që ne jetuam bashkë shumë fort, shumë intensivisht, rrëmujshëm, çmendurisht por jetuam."
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pasi vlerësoi Artan Cukun tha se duhet të përmirësohet trajtimi i punonjësve të policisë.
"250 oficerë policie të vrarë janë një gur i rëndë në ndërgjegjen tonë kombëtare. Nuk duhet të kemi më oficerë policie të vrarë për të reflektuar më pas për të gjitha ato çmenduri që kanë ndodhur në gjithë këto vite.
Drejtori i përgjithshëm Gledis Nano evidentoi përkushtimin e Artan Cakut për uniformën ndërsa shtoi se punonjësit e rendit sakrifikojnë çdo ditë për rendin dhe sigurinë.
"Kurrësesi nuk duhet ti harrojmë këto sakrifica."
Artan Cuku u ekzekutua në hyrje të banesës së tij nga Mikel Shallari i cili sipas hetimeve ishte paguar nga Bledar Jambelli për kryerjen e atentatit.
Sipas Prokurorisë, Jambelli u hakmorr për faktin se Artan Cuku e kishte arrestuar në dhjetor të vitit 2012.