Duro shpjegon arsyen e rikthimit te Laçi. Plori: Gabojmë nga presioni i rezultateve
Shpëtim Duro u rikthye pothuajse pas një viti në stolin e Laçit dhe arriti të merrte një pike. Pasuesi i Josës te kurbinasit, u shpreh i kënaqur me barazimin e arritur në Shkodër teksa zbuloi edhe arsyen që u rikthye te ekipi i Laçit.
“Jam shumë i kënaqur me performancën e skuadrës, në të gjithë aspektet. Rezultat i pranueshëm, pasi luanim me Vllazninë në Shkodër, një rival direkt i yni. Kemi kontingjent të mirë futbollistësh, kemi 17-18 lojtarë që mund të luajnë, por jam i shqetësuar, kemi 2-3 dëmtime, pasi kemi ndeshjen e Kupës të mërkurën. Barazimi ishte shumë me vlera përballë një kundërshtari direkt. Rikthimi? Arritëm rezultat historik në Europë, bëmë paraqitje të shkëlqyeshme. Kishim disa probleme për të cilat prishëm bashkëpunimin, ndoshta në këto momente nuk mund të kthehesha, por duke parë që është skuadra e ndërtuar prej meje gjatë verës, kjo ishte arsyeja pse u riktheva në këto momente. Për mua është pozitive se rikthimi tregon vlerësim nga drejtuesit të cilët pasi kaluan disa situata, përsëri besuan te unë”.
Ndërkohë Elvis Plori pranon se pa te Vllaznia disa momente të mira që mund të rikthejnë entuziazmin e dikurshëm por pranoi se ekipi vuan edhe presionin e madh të rezultateve.
“Ishte një ndeshje e vështirë, kundër një skuadre me elementë cilësorë. E vlerësuam mirë ndeshje, e cila ka pasur një shkëndijë pak më tepër se të tjerat. Sulmi ka pasur diçka më tepër. Në disa raste na mungoi shpejtësia në finalizim. Nëse nuk arrin të finalizosh është e vështirë të fitosh. Janë të tilla momente që ndryshojnë rrjedhën e lojës. Performanca s’ka qenë si duhet. Rezultatet kanë bërë që skuadra të jetë në presion. Nuk ka probleme të tjera. Është dhe mos arritja e objektivit për të dalë kampion, kjo e ka ulur shumë moralin”, deklaroi trajneri Shkodran në fjalën e tij./Ora News/.
