Bëri sikur falimentoi por fshehu pasurinë. Legjenda e tenisit rrezikon 6 vite burg
Ish numri 1 i botës, Boris Becker është shpallur fajtor për falimentim të rremë. Gjashtë herë fituesi i turneve “grand slam” deklaroi falimentimin në vitin 2017 por ai kishte mbajtur të fshehur disa trofe të Australian Open dhe Wimbledon por edhe disa prona me vlerë 1.5 milionë dollarë në Londër dhe Gjermani.
Becker u gjykua nga një gjykatë londineze dhe u shpall fajtor për 6 akuza nga 24 që ishin ngritur në total ndaj tij. Gjatë procesit, tre herë fituesi i Wimbledon i mohoi akuzat për mosdorëzimin e trofeve. Ai e shpalli falimentin në vitin 2017 në Gjykatën e Londrës për shkak të borxheve që kishte ndaj bankës “Arbuthnot Latham & Co”.
Në vendimin për dënimin e tij ku rrezikon deri në gjashtë vjet heqje lirie, gjykata thekson se ish kampioni “ka vepruar në mënyrë jo të ndershme” duke mos i dorëzuar trofetë e fituar në Londër por duke fshehur edhe pronat, në mënyrë që ato të mos i sekuestroheshin për të shlyer borxhet që Becker kishte ndaj institucionit financiar.
Nga maja e botës në një qeli burgu, Boris Becker sigurisht që do të mbahet mend për magjitë e tij në fushat e tenisit ku ka treguar se është në rangun e legjendave të sportit të raketës, por së fundmi në librin e tij të kujtimeve duhet të shtojë edhe një kapitull me peripecitë dhe problemet e mëdha financiare për shkak të vendimeve të gabuara të biznesit që ai ka marrë./Ora News/.
