Gara mes universiteteve, studentët sportistë përballen në Shkodër për kampionatin

Studentë nga 6 universitete publike janë bërë bashkë në Shkodër  në kuadër të kampionateve mes institucioneve të arsimit të lartë. Individët dhe ekipet më të mira do të jetë në pjesë e kampionateve europiane ose botërore.

Për 3 ditë me radhë, Shkodra do të presë të rinj nga 6 universitete publike, në eliminatoret e kampionateve kombëtare universitare.

"Një rini aktive, një rini e edukuar me sportin sigurisht që do të japin premisa për rezultate gjithnjë e më të larta në fushën e dijes, shkencës dhe sportit", tha Fatjon Nurja,  nga shoqata sportive e universitetit të Shkodrës.

Garat sportive që bashkojnë të rinjtë vijnë në kuadër të të aktiviteteve për 65 vjetorin e Universitetit  “Luigj Gurakuqi.”

"Kini parasysh se keni një staf të kualifikuar i cili përditë dhe më shumë i përkushtohet jo vetëm dhënies së mësimeve, transferimit të dijeve bashkëkohore por edhe për ta mbajtur gjallë traditën e sportit shqiptar",  tha  Suzana Golemi, rektore e USH.

Studentët përballen volejboll e basketbollit sporte me traditë të mirë në vendin tonë, por dhe disiplina të reja.

Këtë vit, disa prej tyre do të përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticionet evropiane dhe botërore mes universiteteve.

"Sot kemi disa universitete që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kampionate të rëndësishme evropiane dhe botërore", tha Besnik Veliu, President i federatës shqiptare të sportit universitar.

Sportet janë një traditë e universiteteve shqiptare që po tentohet të rikthehet pas gati tre dekadave mungesë.