Fair Play i ri Financiar, UEFA kufizon shpenzimet për merkaton dhe agjentët
Mund të konsiderohet si një nga normat më të rëndësishme të futbollit në Europë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi në mbledhjen e radhës Rregulloren e re të UEFA-s për Licencimin e Klubeve dhe Qëndrueshmërisë Financiare ose siç njihet ndryshe Fair Play Financiar.
Rregulloret janë reforma e parë e madhe e rregullave financiare të UEFA-s, qyshkur u prezantuan për herë të parë në vitin 2010.
Risia më e madhe në rregulloret e reja do të jetë futja e një tavani të kostove të skuadrave për të sjellë kontroll më të mirë të shpenzimeve në lidhje me pagat e lojtarëve dhe kostot e transferimit.
Rregullorja kufizon shpenzimet për pagat, transferimet dhe tarifat e agjentëve në 70% të të ardhurave të klubit. Vlerësimet do të kryhen në një afat të caktuar kohor dhe shkeljet do të përballen me ndëshkime financiare dhe masa sportive të paracaktuara. Fair Play i ri Financiar do të hyjë në fuqi në qershor të këtij viti dhe do të ketë një zbatim gradual gjatë tre viteve të ardhshme për t’u dhënë klubeve kohën e nevojshme për t’u përshtatur.
Kjo duket një lëvizje e fortë ndaj klubeve që abuzojnë me merkaton, sponsorët fiktivë apo dhe me komisionet për agjentët e futbollit./Ora News/.
