8 prilli, Dita Ndërkombëtare e Komunitetit Rom, cilat janë problematikat që hasin çdo ditë

8 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Romëve. Ajo u vendos në datë 8 prill të vitit 1971 në Londër ku komuniteti rom tashmë dokumentoi historinë e tij , traditën kulturën me synim ruajtjen e identitetit të tyre.

Të ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV ORA, tre përfaqësuesit e komunitetit rom, Raxhi Rakipi, Elina Berati, Nikolin Ademi folën për ditën e ndërkombëtare të komunitetit, ndërsa theksuan se cilat janë problematikat me të cilat hasen.

“Minoriteti rom ka lëvizur nga India Veriore, që është Pakistani i sotëm. Rrugëtimi i minoritetit rom ka qenë i vështirë. Një nga gjërat e mira që minoriteti rom ka pasur, është lëvizja në grup. Për shkak të kësaj,  ata kanë arritur të ruajnë traditën, kulturën dhe gjuhën rome. Kjo ditë e rëndësishme, manifestohet në të gjithë botën. Një ditë më parë është mbajtur një aktivitet nga komuniteti rom në Elbasan dhe synimi kryesor ishte adresimi i disa prej problematikave kryesore të këtij komuniteti."

Një problematikë është ajo e shërbimit shëndetësor, ndonjëherë ndodh që barrierat dytësore të mos lejojnë aksesimin në këtë fushë. Por përmendim edhe fusha të tjera si arsimi, fëmijët romë shpesh diskriminohen.

Aktivitetet e komunitetit janë të përvitshme, synimi është siç e thashë promovimi i kulturave dhe traditave rome. Në këtë ditë ne duam të ngremë zërin për më shumë vëmendje për komunitetin rom, ji vetëm në 8 prill, por në çdo ditë.

“Një nga çështjet më emergjente për tu trajtuar është ajo e punësimit. Kemi shumë anëtarë nga komuniteti rom që u ofrohen mundësi punësimi, por jo në profilin e tyre. Për shkak edhe të mungesës së arsimimit, nuk ofrohen vende të mira pune. Nga ana tjetër, kemi fusha të tjera që janë problematike janë fushat e integrimit urban, në lagjet rome në pothuajse të gjitha qytetet rrugët janë të paasfaltuara, dhe pa investime. Dita e sotme (8 prilli) duhet të jetë një thirrje për të rritur investimet nga bashkitë lokale ndaj lagjeve të komuniteteve rome”, tha Rakipi.

Veç të tjerave komuniteti rom has shumë vështirësi për të shkuar në shkollë dhe në punë pasi kushtet në të cilat ato jetojnë janë shumë të këqija. Raxhi Rakipi, anëtar i këshillit bashkiak të Elbasanit u shpreh se “Duke qenë se unë jam pjesë e bashkisë së Elbasanit kam ngritur zërin për shumë problematika dhe është zgjidhur vetëm mbyllja e një grope e cila rrezikonte jetën e shumë romëve që jetonin në atë zonë”.

Një tjetër problematikë e zgjidhur është edhe ndriçimi i rrugës si dhe heqja e tarifës për fëmijët e kopshteve pasi romët nuk e përballojnë dot. Nëse flasim për arsimin, më parë romët nuk lejoheshin që të nisnin studimet e larta, sot ka përmirësime pasi sot ka shumë romë që vazhdojnë studimet e larta.

Nëse do e hedhim këndvështrimin nga në anë tjetër, romët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të diskriminohen edhe pse kanë të njëjtën aftësi njerëzore. Minoriteti rom sot në Shqipëri njihet si pakicë kombëtare. Një thirrje që bën Raxhi Rakipi nga studio e “Jeto me Orën” është që t’i trajtojmë romët njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë.