Sondazhet për presidencialet franceze, i favorizuar Macron

Këtë të diel francezët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjidhur shefin apo shefen e re të Elize  për mandatin tjetër. Nëpër sondazhe ka një stabilizim të fitores së Macronit, por ditët e fundit është vërejtur një rritje mbështetjeje për Marine Le Pen.

Qytetarët francezë do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri francez.

Edhe pse nëpër sondazhe ka një favorizim të kandidaturës së Macronit për të qëndruar për një mandate tjetër në Elize, sërish ekspertët thonë se gjithçka mund të ndodhë.

Sfiduesja e tij kryesore Marine Le Pen është në rritje ditët e fundit nëpër sondazhe. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e njerëzve nuk janë të sigurt se kë do të votojnë, teksa është zgjeruar gama e atyre qytetarëve që s’kanë ndërmend të shkojnë fare në votime.

Edhe vetë presidenti është shprehur se duhet mobilizim masiv që qendra pro-evropiane të fitojë, edhe pse ende kryeson me lehtësi nëpër sondazhe. Nuk ka “asnjë siguri”, paralajmëroi Macron gjatë tubimit të tij në Paris.

“Mos u besoni sondazheve apo analistëve që ju thonë se gjërat janë vendosur”, u tha ai mbështetësve të tij.

"Pamë Brexit që dukej i pamundur, por ja që mund të ndodhë!"

Analistët francezë shkruajnë se dalja në skenë e kandidatit të ekstremit Zemour dhe retorika e tij e fortë kundër BE-së, emigrantëve, myslimanëve ka bërë që Le Pen të ngjajë politikane shumë e moderuar.

Por, sërish, të dy janë euro-skeptikë dhe ardhja në fuqi e tyre do të thoshte telashe për të ardhmen e Bashkimit Evropian, sipas shumë analistëve francezë.

Francezët do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel, ndërsa më 24 prill pritet që të mbahet edhe balotazhi mes kandidatëve për president.