Rusia: Masakra në Bucha, inskenim

Rusia mohon kategorikisht se forcat e saj kanë vrarë civilët në Buça të Ukrainës. Ambasadori rus në Këshillin e Sigurisë pretendon se personat e shtrirë ishin aktorë që u urdhëruan nga qeveria ukrainase për të diskredituar ushtrinë ruse.

Rusia edhe njëherë ka mohuar masakrën e civilëve në Bucha të Kievit.

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara Vasili Nebenzja pretendon se personat e shtrirë nëpër rrugë hiqeshin si të vrarë, pasi ata lëviznin gjatë filmimit.

"Tani nëse shikoni me kujdes atë që po ndodh në Bucha sa u përket kufomave në rrugë, të cilët nuk ekzistonin përpara se trupat ruse të vinin. Ata befas u shfaqën të shtrirë në rrugë një djathtas, një majtas, disa lëviznin e të tjerë shfaqnin shenja jete. Nuk mund të mos e kuptosh që kjo është e inskenuar, se është falsifikim dhe që është provokim."

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurisë tha se kjo është arsyeja pse Moska ka thirrur një mbledhje urgjente të martën në mbrëmje ku do të paraqesë edhe prova e dokumente që faktojnë të kundërtën e masakrës.

"Që në fillim ka qenë e qartë se ky nuk është gjë tjetër veçse një provokim i inskenuar që synon diskreditimin e ushtrisë ruse dhe shtimin politik mbi ne. Për këtë qëllim, Rusia kërkon një mbledhje e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar këtë provokim të tmerrshëm nga regjimi i Kievit."

Ndërkohë shtetet perëndimore e kanë dënuar fort masakrën e Buchas për të cilën janë zotuar se do të shtojnë dozën e sanksioneve kudër Moskës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e vizitoi nga afër Buchan për të parë civilët e vrarë, për të cilët tha se më shumë se 300 persona janë qëlluar nga forcat ruse përpara se ata të largoheshin nga kryeqyteti.

Presidenti Biden të hënën e quajti Vladimir Putin një kriminel lufte lidhur me vrasjen e civilëve në Bucha dhe u zotua se po mbledh të gjitha materialet për të akuzuar presidentin rus për krime lufte.

Ndërsa tha se do të kërkonte më shumë sanksione ndaj Moskës, Biden u zotua të dërgojë më shumë armë për Ukrainën në mënyrë që ajo t’i bëjë ballë ofensivës ruse.