Arapi i pakënaqur nga VAR-i. Gega: Më të fortit në fund i japim dorën
Një gol i shënuar në sekondat e fundit dhe i anuluar me të drejtë me VAR nuk e bind shumë trajnerin Arapi për vendimin teksa tha se goli ishte i rregullt por pranoi se ekipi mund të bënte më shumë.
“Golin e anuluar kur e shikon është i parregullt. Por nga pamja që kemi mund të luash me vijën. Duhet të ketë një pamje tjetër. Me aq sa duket është i parregullt. Sfidën e kishim përgatitur për ta fituar por nuk bëmë mjaftueshëm. Mendoj se ndikon ana psikologjike që duhet ta heqim. Ne kishim alternativa dhe ne ky ekip jemi dhe u futëm në fushë për ta fituar ndeshjen. E dinim që do të kishim përballë një ekip që nuk kishte çfarë të humbte. Një nga pikat tona më të dobëta është pësimi i golave dhe prandaj punuam për këtë. Gjithsesi siç e thashë hymë në fushë vetëm për të fituar”, u shpreh Arapi në reagimin e tij.
Në kampin korçar, Skënder Gega duket i qetë e gjithashtu i kënaqur me pikën. Ai tha se në sport duhet të pranosh edhe humbjen e në fund ekipit më të fortë i duhët dhënë dora.
“Sot na mungoi fitorja. Erdhëm për të marrë maksimumin, por edhe Teuta, pavarësisht ulje-ngritjeve, është ekip kampion. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, toleruam në mesin e fushës. Do mundohemi të korrigjohemi. Presioni bën të vetën duke nervozuar lojtarët, edhe pse mundohem t’i qetësoj. Berisha pretendon që nuk ishte ai aktori i asaj që ndodhi. Sot nuk e filluam mirë, gjendja e disa lojtarëve është e rënduar, nuk kanë pushuar. Në pjesën e dytë bëmë maksimumin për të marrë më të mirën. Është normale që të bëhet progres në Shqipëri. Është bërë progres, por gjyqtarët gabojnë, edhe ne gabojmë. Në Korçë dëshiroja që gjyqtari ta shihte në VAR pretendimin tonë për penallti, kaq. VAR-i nuk bëhet me australianë, edhe ata të VAR-it duhet të jenë më të kujdesshëm. U jap besim lojtarëve, në stërvitje lojtarët kanë shfaqur atë që dua, por në ndeshje është ndryshe. Do të dalim dinjitozë nga ky kampionat, është një sport ku i jepet dora më të fortit”, tha Gega pas ndeshjes në Durrës./Ora News./.
