Audio dhe video nga planeti mars/ Roboti i NASA-s sjell pamjet dhe zhurmën e inçizuar nga planeti i kuq

Shkencëtarët e NASA-s kanë publikuar zhurmat e para që kanë ardhur nga planeti Mars. Ata kanë vërejtur se shpejtësia e zërit në Mars është më e ulët se ajo në Tokë. Për shkak të atmosferës së hollë, planeti i kuq, sipas shkencëtarëve, është shumë i ftohtë dhe thuajse i pamundur për t’u shndërruar në koloni njerëzore në të ardhmen.

Që në krye të herës, ndërsa njeriu ka ngritur kokën për të parë qiellin, një rebus ka ngërthyer kureshtjen e tij nëse ka jetë në planet e tjera dhe çfarë janë ato drita të shndritshme në qiell.

Me shpikjet më të reja, shkencëtarët kanë mundur të dërgojnë qenien njerëzore të shkel në sipërfaqen e Hënës dhe së fundmi edhe robotë për të eskploruar planetin Mars.

Shkencëtarët e NASA-s kanë bërë publike këtë javë disa prej imazheve të reja që kanë mbërritur nga planeti Mars si edhe zhurmat që ka inçizuar roboti në sipërfaqen e atij planeti.

Inxhinierët e zërit, saj matjeve që kanë bërë, kanë zbuluar se shpejtësia e zërit në atë planet është më e vogël se ajo në Tokë. Kjo për shkak se atmosfera në Mars është shumë e ndryshme nga ajo në Tokë.

Shpejtësia e zërit në Mars është diku tek 300 kilometër për orë më e ulët se ajo në Tokë, dhe sipas astrofizikantëve kjo vjen për arsye se planeti i kuq ka atmosferës më të hollë, më të ftohtë dhe me më shumë dioksid karboni.

Rezultatet që ka sjellë roboti i NASA-s po studiohen me imtësia nga grupe të ndryshme shkencëtarësh. Thuajse njëzëri të gjithë janë të një mendimi se Planeti i kuq është thuajse i pamundur për t’u kolonizuar nga njeriu sepse kushtet janë shumë të pavolitshme.

Shkencëtarët kanë krijuar pajisje që mund të çlirojnë oksigjen që ta përdorë njeriu, si edhe prodhimin e ujit në kushte laboratorike, por kushtet e motit, i ftohti i madh, mungesa e stinëve dhe arsye të tjera të rëndësishme, sipas shkencëtarëve e bëjnë afër të pamundurës planetin e kuq si një banesë njerëzore në të ardhmen.