Lëvizja sindikale në Amerikë, punonjësit e 'Amazon' themelojnë sindikatë, e përshëndet Shtëpia e Bardhë

Zyrtarisht punonjësit e gjigantit tekonologjik kanë tashmë sindikatën e tyre. Kjo është një lëvizje që është përshëndetur edhe nga Shtëpia e Bardhë. Sipas ekspertëve të punës në Amerikë, punonjësit duhet të grupohen për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Punonjësit e gjigantit teknologjik Amazon kanë krijuar sindikatën e tyre të parë për të mbrojtur të drejtat. Amazon Labor Union u krijua në New York nga punonjësit aktual dhe ata të mëparshëm të kompanisë. Në votimin e së premtes 2654 vota ishin  pro lëvizjes sindikale dhe 2131 vota kundër. Nga rreth 8,325 votues me të drejtë vote, 4,785 u paraqitur për të shprehur vullnetin e tyre.

Për rastin ka reaguar vetë kompania duke thënë që beson se po të kesh një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompaninë është më e mira për punonjësit.

Për shumë ekonomistë dhe sindikalistë amerikanë, kjo lëvizje e punonjësve të Amazon mund të rezultojë një moment historik për Amazon dhe lëvizjen më të gjerë të punëtorëve në Shtetet e Bashkuara. Bashkimi sindikal për Amazon, punëdhënësi i dytë më i madh privat në Amerikë, mund të rrisë fuqinë e punëtorëve dhe të drejtat e tyre. Ndërkohë, mund të shërbejë për të gjeneruar energji të reja brenda dyqaneve dhe filialeve të gjigantit teknologjik.

Rezultati u përshëndet edhe nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Joe Biden është "i lumtur që pa punëtorët të merrnin masa që zëri i tyre të dëgjohej", tha zëdhënësja Jen Psaki. 

Ekspertët e punës në Amerikë kanë sugjeruar shpeshherë se është i nevojshëm organizimi më i mirë i punëtorëve për të mbrojtur interesat e tyre, dhe të fitosh një të drejtë sindikale kundrejt Amazonit, një kompani qindra-miliarda dollarëshe në bursë, është njëjtë si fitorja e Davidit përball Goliathit.