Atentat me armë zjarri në Lezhë, administratori i Kallmetit plagoset me 3 plumba pas konfliktit në zyrë

Administratatori i Kallmetit në Lezhë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi i bënë atentat në derë të zyrës së punës.  Besnik Simoni u sulmua me armë nga Altin Marku për shkak të një konflikti që sipas burimeve kishte nisur gjatë fushatës elektorale një vit më parë. Pak minuta më herët Lezha u trondit nga një sulm me eksploziv ndaj një biznesi.

Besnik Simoni, kryetar i Njësisë Administrative Kallmet në Lezhë, mbeti i plagosur rëndë në një atentat me armë zjarri ndodhur sot (1 prill 2022) në derë të godinës ku ushtron detyrën zyrtare.

Ai u qëllua të paktën tre herë me pistoletë në mes të rrugës nga Altin Marku, i cili pas sulmit është larguar duke humbur gjurmët.

"Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës"

Siç njofton policia atentati pasoi një debat të fortë verbal mes zyrtarit vendor dhe agresorit.

Por motivet e konfliktit për momentin mbeten të paqarta.

Besnik Simoni, rreth 47-vjeç mësohet se ka marrë plumba në shpatull dhe në bark, ndërsa një person i dytë që ndodhej në makinë bashkë me të ka shpëtuar pa lëndime.

Ka qenë ky i fundit që e ka transportuar me makinë në spitalin e Lezhës për mjekim.

Në gjendje të rëndë shëndetësore zyrtari është sjellë më pas për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Altin Marku që e sulmoi ndërkohë mbetet në arrati dhe forcat e Policisë janë vënë në gjurmët e tij, por deri tani pa rezultat.

Ora News mëson se konflikti mes Simonit dhe Markut ka nisur që një vit më parë në fushatë elektorale.

Ndërkohë po në Lezhë një person ende i paidentifikuar ka hedhur një ndezës granate pranë një lokali në Lezhë.

Atentat me armë zjarri në Lezhë, administratori i Kallmetit
Besnik Simoni sillet te spitali i Traumës në Tiranë

Para atentatit, shpërthim me lëndë plasëse në një lokal në Lezhë

Vetëm pak minuta para atentatit me armë zjarri ndaj administratorit të Kallmetit, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Lezhë.

Një lokal u sulmua me eksploziv në lagjen 'Besëlidhja' nga një person që ende mbetet i paidentifikuar.

Sulmi ndodhi pas mesdite një kohë kur brenda ambientit ndodheshin disa persona, që fatmirësisht shpëtuan pa lëndime.

Policia e Lezhës ndërkohë thotë se po heton për sqarimin e rrethanave dhe arrestimin e autorëve të dy ngjarjeve që tronditën sigurinë publike brenda pak minutave.

 

Njoftimi i policisë së Lezhës për plagosjen

Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar A. M.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.