Bllako u arrestua me 9 orë vonesë, SPAK sqaron procedurat për prangosjen e ish-deputetit

Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se arrestimi i deputetit Alqi Bllako është bërë me 9 orë vonesë nga Policia e Shtetit, pa sqaruar arsyen e kësaj vonese. SPAK në një deklaratë thotë se ka urdhëruar policinë të mbante në vëzhgim deputetin që prej datës 30 mars. Ndërkohë një ditë më pas në orën 15.54 është përcjellë vendimi i gjykatës për ekzekutim. Prokuroria thekson se urdhri është ekzekutuar në orën 03.30 të mëngjesit të datës 1 prill nga ana e policisë. 

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka reaguar në lidhje me arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke sqaruar procedurat e ndjekura për kapjen e tij pas masës së vendosur në mungesë nga gjykata.

Në deklaratën e Prokurorisë, thuhet se vendimi i gjykatës është ekzekutuar me rreth 9 orë vonesë, edhe pse policia ishte urdhëruar ta mbante në vëzhgim deputetin që prej datës 30 mars.

Organi i akuzës bën të ditur se emri i deputetit të PS është shënuar në dosjen e incineratorëve në datën 18 mars 2020 si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në datën 29 mars, drejtuesi i SPAK i ka kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Po atë ditë, Kuvendi ka njoftuar prokurorinë se kërkesa për arrestimin e deputetit do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, më 30 mars 2022, ora 18.00.

Po atë ditë, Spak me shkresën Nr.2407/4 Prot., ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policinë, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikëqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse Alqi Bllako do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Më 30 mars 2022 në orën  19.40, Kuvendi ka njoftuar SPAK-un për anulimin e mbledhjes së Këshillit për arsye se deputeti ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati deputetit.

Po atë ditë, në orën 20.30, Prokuroria e Posaçme dorëzon në gjykatë kërkesën për caktimin e masës “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako.

Më 31 mars gjykata ka caktuar masën në mungesë ndërsa vendimi i është përcjellë prokurorisë në orën 15.30. vetëm 15 minuta më vonë,  SPAK thotë se i ka përcjellë policisë vendimin për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako.

Ekzekutimi i masës, sipas deklaratës së SPAK është ekzekutuar rreth 9 orë më vonë në 03.30 të mëngjesit të datës 01.04.2022.

Dokumenta bashkëngjitur