Asnjë fjalë për ish-kolegun, Manja: Me Bllakon të merret drejtësia, PS është mandatuar për të qeverisur
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk komentoi arrestimin e ish-kolegut të tij Alqi Bllako. Por pertej heshtjes, socialistët nuk ngurojnë që tu tregojnë burgun zyrtarëve më të ulët që abuzojnë me detyrën.
Në ditën e parë që ish-kolegu i tij ndodhet me pranga në duar, Ulsi Manja nuk e përmend emrin e Alqi Bllakos.
Si Ministër i Drejtësisë thotë se gjykata do të ketë fjalët e fundit, ndërsa vlerësoi faktin që partia e tij ishte iniciatore e reformës në drejtësi, ku në kuadër të saj disa zyrtarë të lartë socialistë janë pas hekurave.
Manja: PS, kjo mazhorancë, ishte kjo arsyeja që ndërmorëm një nga reformat më të rëndësishme në këto 30 vite, reforma në drejtësi. Tani që drejtësia e re është në veprim ta lëmë të bëjë punën e vet. Çështjet e drejtësisë janë çështjet e drejtësisë, ne jemi mandatuar për të qeverisur.
Por teksa socialistët nuk thonë asnjë fjalë për ish-funskionarët që akuzohen dhe arrestohen për afera korruptive, të tjerëve nuk ngurojnë tu tregojne derën e burgut.
Manja paralajmëroi arrestime të tjera përsa i përket çështjes së pronave në bregdet.
Manja: Ka patur hetim edhe përsa i përket kadastrës së Vlorës, hetim ky i cili ka nisur nga punonjësi më i thjesht deri në strukturat më të larta, pa patur përjashtime. Rezultatet do të shprehen shumë shpejt.
Ministri i Drejtësisë ishte te premten në Vlorë, në një takim për ndihmën ligjore falas.
