"Putinit s’ja thonë dot të vërtetën", Inteligjenca amerikane: Këshilltarët kanë frikë për jetën, ti thonë ç’po ndodh
Amerikanët kanë preferuar të ndajnë me publikun informacione të inteligjencës. Sipas tyre ka tensione mes shtabit ushtarak dhe Putinit për shkak se këshilltarët kanë frikë për jetën e tyre ndaj edhe nuk e thonë dot të vërtetën ashtu siç është.
Lufta në Ukrainë vijon në shumë fronte, teksa rezistenca ukrainase ka rezultuar efikase dhe e fortë përball një ushtrie si ajo ruse.
Inteligjenca amerikane dhe ajo britanike kanë deklaruar se sa i përket luftës, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka informacione të sakta nga terreni, sepse këshilltarët kanë frikë për jetën e tyre ndaj edhe nuk e tregojnë situatën siç është.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Putini është rrethuar vetëm me ato persona që kërkon t’i thonë çfarë do ai që të dëgjojë, dhe çdo mendim ndryshe nuk dihet se si mund t’i ketë pasojat, ndaj edhe kjo i frikëson shumë këshilltarë të thonë realitetin për luftën në terren.
“Ne kemi informacione se ka pasur tensione mes Putinit dhe shtabit ushtarak rus, sepse presidenti Putin është ndjerë i mashtruar nga këshilltarët. Ata kanë frikë për jetën e tyre ndaj edhe refuzojnë ta thonë të vërtetën ashtu siç është” -tha drejtoresha e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një konference për shtyp.
Vendimi i Uashingtonit për të ndarë me publikun informacione që i vijnë nga shërbimet inteligjente pasqyron një strategji që e ka ndjekur që para fillimit të luftës. Edhe evropianët janë të të njëjtit mendim me amerikanët. “Putini mendonte se gjërat po shkonin më mirë se ç’ishin. Ky është problemi kur rrethohesh vetëm me 'yes men'” tha një diplomat i lartë evropian për mediet ndërkombëtare.
Forcat ruse bombarduan këtë të mërkurë në periferi të kryeqytetit Kiev dhe në zona të Ukrainës veriore, vetëm një ditë pasi premtuan të pakësojnë operacionet ushtarake. Por kjo strategji sipas amerikanëve është thjesht për të hedhur hi syve dhe për t'u rigrupuar.