Kina është e gatshme të çojë marrëdhëniet e saj me Rusinë në një 'nivel më të lartë'

Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Rusisë janë takuar në Kinë, para një takimi të përfaqësuesve të qeverisë nga vendet që kufizojnë Afganistanin.

Sipas medieve shtetërore të Kinës, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha se marrëdhëniet mes dy vendeve i kanë rezistuar provave të reja të paraqitura nga një situatë ndërkombëtare në ndryshim.

Wang tha se Kina ishte e gatshme ta çonte marrëdhënien e tyre "në një epokë të re" dhe "në një nivel më të lartë".

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e informoi homologun e tij kinez për "operacionin special ushtarak" në Ukrainë, pasi Moska e ka përshkruar vazhdimisht pushtimin e saj të vendit si një operacion ushtarak.

Lavrov tha se të dy vendet "kundërshtojnë hegjemonizimin dhe politikën e pushtetit" dhe "mbrojnë parimet e OKB-së."

Ai tha se "Rusia është e përkushtuar për ftohjen e tensioneve" në Ukrainë dhe "do të vazhdojë bisedimet e paqes", si dhe do "të mbajë komunikimin me komunitetin ndërkombëtar".

Wang tha se Kina "ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë", duke shtuar se "çështja" e Ukrainës kishte "një histori komplekse" dhe pretendoi se ishte "rezultat i një konflikti të gjatë evropian të sigurisë".

Wang tha gjithashtu se Kina mbështet përpjekjet që po bëhen nga Rusia dhe të gjitha palët, për të "parandaluar një krizë humanitare në shkallë të gjerë".

Kina ka refuzuar vazhdimisht të kritikojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.