Ukraina nuk ul vigjilencën ndaj Rusisë, Zelensky: As mos mendoni për ulje të sanksioneve ndaj Moskës

Presidenti Zelensky i ka quajtur si pozitive negociatat e paqes me palën ruse në Turqi, por megjithatë Ukraina nuk do të ulë vigjilencën mbrojtëse për sa kohë trupat ruse janë ende në vend. Lideri ukrainas u bëri thirrje edhe shteteve perëndimore që të mos ulin sanksionet ndaj Moskës.

Presidenti i Ukrainës Zelensky i ka quajtur sinjale pozitive negociatat e paqes Kiev-Moskë të cilat u mbajtën të martën në Stamboll të Turqisë.

Por megjithatë ai shton se vigjilenca nuk duhet ulur për sa kohë ka ende trupa ruse në Ukrainë.

Zelensky: Ne mund të themi që sinjalet që ne dëgjojmë nga negociatat janë pozitive, por këto nuk i zhdukin shpërthimet ruse. Prandaj ne nuk do të qetësohemi dhe as nuk do të ulim përpjekjet tona mbrojtëse si në veri të vendit ashtu edhe në të gjitha rajonet e Ukrainës. Ne nuk duhet të humbim vigjilencën. Ushtria ruse ka ende potenciale domethënëse për të vazhduar sulmin kundër shtetit tonë.

Të martën Ministria ruse e Mbrojtjes tha se do të ulte aktivitetin ushtarak në Kiev dhe Çernhiv, megjithëse të mërkurën u raportua për disa shpërthime në kryeqytet të cilat nuk dihen ende se nga erdhën.

Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara dyshojnë se tërheqja e trupave nga Kievi është një taktikë e Rusisë për t’u riorganizuar ose për të sulmuar nga ajri.

Zelensky u ndal edhe te sanksionet ndaj Rusisë, duke i bërë thirrje perëndimit se nuk duhet të ulin sanksionet meqë negociatat dhanë rezultat.

Zelensky: Disa vende as nuk duhet të presin që negociatat do të ndikojnë në uljen e sanksioneve kundër Rusisë. Pyetja e sanksioneve nuk duhet ngritur deri sa lufta të përfundojë, deri sa të marrim atë që është e jona dhe të rivendosim drejtësinë.