"Rusi-Kinë, rend botëror demokratik", Lavrov takon homologun kinez: Marrëdhëniet Pekin-Moskë, të hekurta
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov është takuar me homologun e tij kinez në Pekin ku kanë rikonfirmuar edhe njëherë marrëdhëniet e forta dypalëshe, në mes të kritikave të perëndimit për sulmin e Ukrainës dhe kërcënimeve të Uashingtonit kundër Kinës nëse mbështet Rusinë.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov është takuar të mërkurën me homologun e tij kinez Wang Yi në Pekin.
Takimi i dy kryediplomatëve është i parë që prej 24 shkurtit kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës.
Ndryshe nga shumica e vendeve perëndimore dhe disa vende aziatike, Pekini ka refuzuar të dënojë Moska dhe hodhi poshtë thirrjet për të vendosur sanksione.
Pas mbërritjes në Pekin, Lavrov deklaroi se dy shtetet fqinje do të punojnë për një rend botëror të drejtë dhe demokratik.
Pekini ka argumentuar se kufizimet ekonomike pengojnë tregtinë botërore dhe nuk do ta zgjidhin konfliktin.
Zyrtarët këmbëngulin se vetëm dialogu dhe diplomacia mund të çojnë në paqe.
Ministri i Jashtëm kinez tha se pavarësisht sfidave të reja me të cilat përballen Pekini e Moska, vullneti i të dyja palëve për të zhvilluar marrëdhëniet bilaterale është bërë edhe më i fortë.
Ministri kinez gjatë këtij muaji i quajti marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë si të hekurta.
