Gati rishikimi i koncesioneve

Qeveria mund të rishikojë edhe kontratat e koncesioneve nëse kriza e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë do të vazhdojë. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj shprehet se për momentin ky skenar është i përjashtuar, duke shtuar se buxheti ka të ardhura të mjaftueshme. Opozita nga ana e saj ka paralajmëruar votën kundër, duke i cilësuar masat e pamjaftueshme dhe për këtë propozoi edhe uljen e taksave.

Akti normative i qeverisë për paketën fiskalë është përfshirë në diskutimet parlamentare, ku kërkohet edhe votimi.

Në debatet në komisionin parlamentar të ekonomisë, opozita i konsideroi të pamjaftueshme masat e marra, ku përfshihet dhënia e një kompensimi prej 3 mijë lekësh për tre muaj për disa kategori të pensionistëve dhe invalidëve. Madje Jorida Tabaku kërkoi dhe ndërprerjen e pagesave për disa prej koncesioneve.

"Pse qeveria shqiptare nuk merr parasysh shkurtimin e PPP dhe shpenzimeve për kontratat koncensionare në këtë moment tani", tha Tabaku.

Për ministrinë e Financave situata me buxhetin e shtetit është e mjaftueshme për të përballuar shpenzimet, por nuk përjashtoi skenarin e rishikimit të shpenzimeve.

"Kemi planifikuar rritje te të ardhurave 10 miliardë lekë. Nuk kemi parashikuar rritje të mëtejshme bazuar në situatën. Nuk është momenti të ndërhyjmë në politika fiskale në një moment të tillë krize. Aktualisht nuk ka nevojë por nëse do jetë nevoja do të ndërhyjmë në zërat të caktuar ne buxhet."

Shkurtime qeveria duket se ka bërë për blerje të automjeteve apo për pajisje në zyra. Akuzat nuk munguan as për rritjen e të ardhurave në buxhet për shkak të rritjes së çmimeve, por Ibrahimaj theksoi se nuk ka një konstatim të tillë.

"Për sa i përket shpenzimeve për blerje automjetesh, shpenzimet për pajisje, shpenzimet për karburant mund t'ju japim një informacion të detajuar të gjithë shkurtimeve që kemi  bërë", tha Ibrahimaj.

Pas votimit në komisionin e ekonomisë, akti normative i paketës së rezistencës do të duhet të votohet në parlament. Ndërkaq rritja e çmimeve të paktën për ushqimet e shportës shkon në rreth 6 për qind.  Megjithatë qeveria pret sërish që edhe këtë vit të ketë rritje ekonomike, pavarësisht luftës në Ukrainë.