"Fluturojnë" sërish çmimet e karburanteve, nafta 245 lekë/ litri, rritet ndjeshëm edhe gazi
Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje, për të tretën herë brenda pak ditësh.
Një litër naftë do të tregtohet me 245 lekë për litër nga 233 lekë që ishte më parë.
Sipas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar, duke u shitur 218 lekë për litër.
Rritje të ndjeshme ka shënuar çmimi i gazit që duke filluar nga kjo e shtunë tregtohet me 110 lekë për litër, një nivel rekord ky, nga 93 lekë që ishte në rishikimin e fundit.
Çmimet e reja të karburantit janë në fuqi deri më 1 prill.
Me këtë rritje nafta po i afrohet nivelit rekord që arriti në fillim të marsit kur dhe qeveria krijoi Bordin e Transparencës.
Bordi e uli fillimisht çmimin deri në 203 lekë për litër, pasi në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi.
Por, pas vendimit të parë, çmimi i naftës në vendin tonë ka vazhduar rritjen pavarësisht luhatjeve që ka pasur çmimi në bursë.
Ndërkaq nga pamjet e siguruara konstatohet se çmimi është rritur që prej mbrëmjes së të shtunës, edhe pse Bordi i quajtur i Transparencës nuk kishte bërë publike ndryshimet.
VENDIMI:
1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/liter për periudhën 26 mars- 1 prill 2022
2. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të jetë 245 lekë/litri.
3. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 218 lekë/litri.
4. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 26 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e premte, datë 1.04.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.
