Rritja e naftës, qeveria “ngre duart”, Balluku: Oligopol në karburante, s’kemi ndërhyrë kurrë në këtë treg
Me përfundimin e protestave para kryeministrisë, Qeveria heq dorë nga ndërhyrja në stabilizimin e çmimeve të karburanteve në vend. Nga foltorja e Kuvendit, ministrja Belinda Balluku thekson se kemi të bëjmë me oligopole ndaj dhe qeveria nuk ka ndërhyrë asnjëherë në këtë treg.
Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, akuzoi këtë të enjte opozitën se po përdor krizën aktuale për kredo politike.
Por nga ana tjetër ajo pohoi pafuqinë e qeverisë për të ndërhyrë tek grosistët e karburanteve në vend, edhe pse pranoi se kemi të bëjmë me oligopole.
"Ju referuat tregut të naftës dhe të gazit, folët për oligopol por asgjë nuk ka ndryshuar nga tregu i naftës dhe gazit nga dita që ju e keni lënë qeverisjen, nga 2013 asgjë e re. Ne nuk kemi ndërhyrë kurrë në këtë treg."
Teksa rritja e çmimeve ka nxitur protesta në të gjithë vendin, nga foltorja e Kuvendit, Balluku u përpoq të minimizojë krizën.
"Ju që i keni pasur taksat të gjitha më të larta, ju që nuk jeni kujdesur për asnjë moment as për biznesin e vogël, as për familjarët dhe ju e dini shumë mirë se çfarë keni bërë dhe sa i përket pagave dhe pagës minimale, që sot është deklaruar që nuk do të ketë tatim për atë pagë deri në 400 mijë lekë".
Ministrja deklaroi se përballimin e efekteve të krizës qeveria ka marrë masa për çdo familje.
"Është një krizë mbarëbotërore që ka prekur çdo familje qoftë kjo e varfër apo qoftë me të ardhura pak më të larta. Sigurisht shtresat më të nevojë janë ato më të prekura ndaj dhe qeveria Rama ka ndërmarrë paketën e rezitsncës për të mbuluar të gjitha impaktet që kjo krizë ka sjellë."
Po ashtu Balluku tha se pjesë e përfituesve nga ndihma e qeverisë është dhe biznesi i vogël.
