Tabaku: Kriza ekonomike globale ka prekur dyfish Shqipërinë, qeveria ka dështuar me masat e marra
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se kriza ekonomike në vendin tonë ka nisur që në shtator të vitit të kaluar.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Tabaku tha se lufta në Ukrainë ka prekur dyfish ekonominë shqiptare krahasuar me vendet e tjera.
Jorida Tabaku: Çështja për situatën e krizës ekonomike në Shqipëri ka nisur që në shtator të vitit të kaluar. Pavarësisht luftës dhe agresionit rus në Ukrainë, pavarësisht krizës që ka prekur vendet tjera ekonomia shqiptare ka qenë në një situatë jashtëzakonisht kritike dhe problematikave si rezultat i politikave të qeverisë. Me fillimin e agresionit rus tendenca që ka prekur të gjithë tregjet rajonale dhe globale e ka prekur dyfish më shumë Shqipërinë si rezultat edhe i problemeve ekzistuese ekonomike.
Ajo tha se ekonomia shqiptare ka qenë e papërgatitur ndërsa ka shtuar se qeveria ka dështuar në masat që ka marrë për menaxhimin e krizës.
Jorida Tabaku: Qeveria ka dështuar që të marrë masa konkrete që ndihmojnë ekonominë dhe janë në shërbim të të gjithë shtresave të qytetarëve. Duke pasur parasysh këto dinamika të përgjithshme, ekonomia shqiptare ka qenë e papërgatitur dhe i ka ndjerë dyfish krahasuar me vendet e tjera.Masat që ka marrë qeveria janë masa normale që nuk reflektojnë në rritjen që ka sot tregu.
Tabaku ka akuzuar qeverinë se po abuzon me krizën ekonomike.
Jorida Tabaku: Qeveria shqiptare është duke bërë biznes nga kriza, është duke rritur të ardhurat nga kriza. Dhe një akomodim i taksave në këtë periudhë do i jepte frymë energjisë që të mos rriteshin çmimet e përgjithshme.
Ajo theksoi se çmimet janë rritur për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe të karburantit.
Jorida Tabaku: Sepse sot çmimet janë rritur si rezultat i dy elementëve, çmimit të karburantit dhe të energjisë, të dyja si rezultat i vendimeve direkte të qeverisë.
Përgatiti Anila Kolgjini.
