Braçe nga foltorja e Kuvendit thirrje Ramës: Çliro tregjet e kapura! Njerëzit kanë të drejtë të dinë si shkohet tek këto çmime

Nga foltorja e Kuvendit ish zv/kryeministri Erion Braçe tha se pas rritjes së çmimeve përveç krizës së shkaktuar nga çmimet në Ukrainë është edhe  një krizë tjetër, ajo shqiptare,

"Por kriza jonë ka dhe diçka më sipër ka dhe një kat e gjysmë më lart. Është krizë që vjen ndërkombëtare por dhe krizë që vjen nga abuzimi këtu brenda. Është dhe krizë që vjen nga tregje kombëtare, të kapura, të mbyllura, të përqëndruara, as të lira e as konkuruese”

Braçe tha se duhet thënë e vërteta. Dhe si rast mori produktet plehëruse për fermerët që thuhet se janë me taksë të reduktuar 10% TVSH. Në fakt e vërteta nuk është kjo.

“Të thuash të vërtetën sado e fortë dhe e dhimbshme që të jetë. Të vërtetën duhet ta themi ashtu siç është.  Ne vendosëm 10% TVSH mbi produktet plehëruese, edhe pse, bërtita e ulërita këtu se nuk vendoset taksë e re mbi produkte kur çmimet janë në rritje, shkuam përpara me këtë vendim. Duhet ta zhbëjmë atë” tha Braçe në parlament.

E dyta, sipas deputetit të PS duhet transparencë

“Njerëzit kanë të drejtë të dinë si shkojnë tek ky çmimi i ri i naftës, i benzinës dhe i gazit. Njerëzit duhet ta dinë qartë se me sa hyn nafta në territorin e Shqipërisë. Sa ka shpenzime mbi të? Operacionale të kompanive, tatime dhe taksa dhe sa është marzhi i fitimit. Njerëzit kanë të drejtë ta dinë si shkohet tek ky çmimi i vajit, i orizit, sheqerit, miellit, makaronave, drithit. Bujqit kanë të drejtë të dinë si shkohet te çmimi i dapit dhe uresë, nitratit dhe pastaj për blegtorinë, i misrit sojës,…

Nuk e besoj zonja ministre se çmimi 13 mijë lekë për kuintal për urenë për dapin është çmimi që na vjen nga importi plus 2% fitim. Nuk e besoj dot se kam parë faturat 87 lek vjen kilogrami, del nga dogana kaq dhe nuk besoj se norma e fitimit nuk është 2%. Është mashtrim. Është zhvatje”

Ndërtuesit kanë të drejtë të dinë si shkojnë tek cmimi i hekurit, çimentos, bitumit.

Çfarë ndodhi me bitumin që nga 6 mijë lekë vajti 10 mijë lekë. Çfarë ndodhi me hekurin nga 340 dollarë toni i skrapit përfundoi në 1200 dollarë toni në Elbasan. Çfarë ka ndodhur"

Braçe nga foltorja e Kuvendit thirrje Ramës: Çliro tregjet e

Si pikë të tretë Braçe nënvizoi demokratizimin dhe rikthimin e konkurencës në treg. Hapja e tregjeve nga biznesmenët e mëdhenj që duke vepruar në një situatë oligopoli nuk lejojnë konkurencën e lire.

“Të demokratizosh ekonominë është jetike! Të demokratizosh tregjet, konkurencën është akoma më jetike, sepse në tregje të kapura ka nevojë për liri, për hyrje të reja, për operatorë të rinj.

Ka nevojë që ata tregtarë që kanë kap këto tregje, ato shoqata që funksionojnë sot e gjithë ditën si kartele në tregjet më fitimprurëse të vendit kanë nevojë të sfidohen e të konkurohen në normat e tyre të fitimit.

Abuzimi luftohet vetëm kështu. Abuzimi, çmimet nuk i vendos populizmi, as ai i rrugës, as ai i politikës. Duhen veprime konkrete. Kontrolli i agjensive ligjzbatuese duhet të shtyhet më tej. Na duhet një agjencie  re që merret drejtëpërdjertë me tregjet e abuzimet në to. Një inspektoriat që të bëjë detyrën e ti vërë fre abuzimit në tregje."