Vrapon çdo natë nga 10 km, sakrifica e 19-vjeçarit për t’u bërë pjesë e ushtrisë indiane

Një 19-vjeçar nga India ka pranuar disa oferta pasi një video e tij duke vrapuar nga puna për në shtëpi u bë virale në rrjetet sociale.

Në video ai shihet duke vrapuar ndërsa xhirohet nga regjisori Vinod Kapri, i cili i ofroi ndihmë adoleshentit me emrin Prapdeep Mehra për t’a dërguar në shtëpi me makinë.

Por megjithatë Mehra nuk e pranoi ofertën, duke thënë se ai vrapon rreth 10 km çdo natë për të mbajtur veten në formë në mënyrë që të bashkohet me ushtrinë indiane.

Sipas BBC, Mehra po vraponte në shtëpi të shtunën pas një turni nate në një dyqan McDonald’s në qytetin Noida – në periferi të kryeqytetit kombëtar Delh,  kur regjisori e Kapri e pa atë.

Regjisori tha se i ofroi ndihmë pasi e pa atë të vraponte me një çantë shpine, duke menduar se mund të ishte në telashe, por i ka rezultuar krejt e kundërta, gjë e cila habiti dhe Kaprin.

Ai e xhiroi nga makina e tij teksa ngiste ngadalë përkrah Mehras, duke i bërë pyetje për të kuptuar pse e refuzoi ndihmën e tij.

Regjisori e ka shpërndarë videon menjëherë në rrjetet sociale, ku krahas së cilës ka shkruar:  Do të dashuroheni me këtë fëmijë nëse dëgjoni arsyen e tij.