Vajzat afgane protestojnë në Kabul kundër mbylljes së shkollave
Gratë afgane janë ngritur në protesta kundër vendimit të talibanëve për mbylljen e institucioneve arsimore.
Duke brohoritur "hapni shkollat", dhjetëra prej tyre tubuan në kryeqytetin afgan pas bllokimit të gjimnazeve. Në fakt reagimet nisën prej së mërkurës kur Ministria e Arsimit kishte vendosur dhe nisjen e orëve mësimore.
Çdo gjë ndryshoi kur qeveria deklaroi mbylljen. Mijëra gra reaguan në të gjithë vendin duke kërkuar prej talibanëve ndryshimin e këtij qëndrimi.
"Hapni shkollat! Drejtësi, drejtësi!" brohoritnin protestueset të shtunën, disa duke mbajtur libra shkollorë derisa u mblodhën në një shesh të qytetit në Kabul.
Me pankartat "Arsimi është e drejta jonë themelore, jo një plan politik", marshuan në pak metra, por u detyruan të shpërndahen pas mbërritjes së luftëtarëve të talibanëve.
Qeveria ende nuk ka dhënë një arsye të qartë për vendimin e tyre, i cili erdhi pas një takimi të martën vonë të zyrtarëve të lartë në qytetin jugor të Kandaharit.
Vajzat afgane të shkollave të mesme tani janë jashtë bankave për më shumë se shtatë muaj.
Që nga kthimi në pushtet i talibanëve më 15 gusht, shumë gra janë përjashtuar nga puna në qeveri, janë ndaluar të udhëtojnë vetëm dhe janë urdhëruar të mbulohen.

