Presidenti turk bisedon me Zelenskyn, do takoje edhe Putin
Turqia do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të paanshëm në luftën e nisur prej gati një muaji mes Rusisë dhe Ukrainës.
Madje presidenti Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se ai po vazhdon negociatat me homologun e tij Vladimir Putin me qëllim së paku arritjen e një armëpushimi, kjo nisur dhe nga marrëdhëniet e ngushta që ai ka me të dy shtetet.
Për këtë qëllim kreu i Ankarasë ka zhvilluar dhe një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës Zelensky. Situata në zonat që janë nën sulmin ushtarak të Moskës dhe mundësitë e arritjes së një pakti qoftë edhe të përkohshme duket se ka qenë në qendër të kësaj bisede të zhvilluar në orët e vona të së premtes.
Në deklaratën për mediat thuhet se Erdogan ka theksuar mbështetjen për Ukrainën në Samitin e Natos.
Më 6 mars, presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.
Gjithsesi prej nisjes së pushtimit mes palëve janë zhvilluar disa raunde bisedimesh por pa një konkluzion, edhe pse ato vazhdojnë ende.
Nga ana tjetër Zelensky ka vijuar me qëndrimet e tij përmes rrjeteve sociale, apo komunikimeve online me shtete të ndryshme ku kërkon mbështetje. Së fundi ai u paraqit në Forumin e Katarit në Doha, duke i bërë thirrje vendit të pasur me energji dhe të tjerëve që të rrisin prodhimin e tyre për të kompensuar humbjen e furnizimeve ruse të energjisë.
Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe fuqive botërore që t'i vijnë në ndihmë, siç ka bërë në një sërë fjalimesh të tjera në mbarë botën që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
"Ata po shkatërrojnë portet tona," -tha Zelensky.
"Mungesa e eksporteve nga Ukraina do t'u japë një goditje vendeve në mbarë botën”, -tha ai.
Tashmë edhe Rusia ka deklaruar se nuk do të furnizojë me gaz shtetet që nuk e paguajnë me monedhën ruse. Por i pari që ka refuzuar rublën ka qenë presidenti francez Emanuel Makron.
