Kriza ekonomike, Koti: Masat e qeverisë vetëm ne letra. Shqetësuese presioni mbi bizneset dhe qytetarët
Deputetja e PD, Serina Koti, teksa ka komentuar krizën ekonomike është shprehur se qeveria Rama nuk ka zbatuar asnjëherë rregulla.
Në një intervistë për Ora News, tha se qeveria u thotë qytetarëve të kursejnë, ndërkohë që vet bën shpenzime luksi.
Serina Koti: Asnjëherë qeveria Rama nuk ka zbatuar rregulla, si në periudhën gjatë Covid-19, e njëjta gjë po ndodh edhe në këtë situatë të quajtur situatë luftë për shkak të konfliktit në Ukrainë Rusi, ku dhe ne duhet të marrim masa për të ruajtur financat publike nga keqpërdorimin. Qeveria po vazhdon me të njëjtën filozofi që qytetarët dhe biznesi duhet të kursejë, të marrë masa për të mbijetuar dhe për të përballuar krizën, duke e ditur që qeveria vazhdon të bëjë shpenzimet e veta, siç janë shpenzimet e luksit.
Sipas Kotit, masat që ka ndërmarrë qeveria për të përballuar krizën ekonomike janë vetëm në letra.
Serina Koti: Masat që po jep qeveria janë vetëm masa nëpër letra, pasi qytetarët dhe biznesi nuk ka për ta ndjerë kurrë dorën që shteti po ndërhyn për t’I ndihmuar ata. Këtë e pamë me rritjen e çmimeve të naftës. Me nisjen e protestave, pësuam një rënie të ndjeshme te çmimi i naftës, por sot shohim prapë se nafta është rritur.
Deputetja thotë se qeveria po ushtron presion ndaj bizneseve dhe qytetarëve, ndërsa ka shtuar nuk duhet të kontrollojë çmimet në treg.
Serina Koti: Jam kundër kontrollit të çmimeve pasi ne jemi në një treg të lirë, ku kërkesë oferta përcakton çmimin dhe ngritja e një bordi do të thotë se qeveria vendosë çmimet tavan. Ajo që më shqetëson është presioni dhe dhuna që qeveria bën kundrejt bizneseve dhe qytetarëve. Që të vendosësh me bord çmimet duhet të shpallet gjendja e emergjencës. Në një treg kapitalist është çmimi duhet të kontrollohet sipas kërkesë ofertës.
Koti thekson se, qeveria duhet të lejoj rolin rregullator dhe jo oligopole dhe monopole.
Serina Koti: Në këto 30 vite ende nuk kemi krijuar një treg të lirë. Qeveria me bizneset e mëdha në Shqipëri, ka krijuar një treg ku kontrollohet gjithçka që hyn, si do të shitet, sasia që do të shitet dhe e gjitha kjo është në kurriz të konsumatorit.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Anila Kolgjini.
