"Fierza jashtë funksionit", Ademi: Qeveria duhet të kishte marrë masa
Ish-kryebashkiakja e PD në Shkodër, Voltana Ademi thotë se situata ekonomike në vendin tonë është shumë e rëndë.
Në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, Ademi për krizën ekonomike në vend, fajëson qeverinë, pasi sipas saj, kjo e fundit nuk ka ditur të menaxhojë asgjë në vend, duke përfshirë dhe paratë publike.
Ajo shton se vendi ynë do e vuajë shumë këtë krizë ndërsa shton se sistemi shtetëror financiar ka mbështetur afera të mëdha korruptive.
Voltana Ademi: Nuk është një ngjarje e papritur. Qeveria prej shumë vitesh nuk arrin të menaxhojë asgjë në këtë vend. Ose më mirë të them që nuk arrin të menaxhojë asgjë në shërbim të interesit publik në këtë vend. Nuk ka menduar fare për këtë ditë. Kush drejton e ka detyrë që të parashikojë një ndërhyrje, apo të lërë diçka rezervë për emergjencë, kështu duhet të funksionojë dhe shteti. U hoqën shumë programe të mbështetjes për këtë qëllim.
Qeveria nuk ka menduar ndonjëherë. Ne po vazhdojmë të hapim gropën. Kjo gropa në momentin që ka një krizë, fillon hapet vetë edhe më shumë dhe ndodhemi përballë këtij mos kontrolli. Ne do vuajmë shumë rëndë këtë krizë menaxheriale. I gjithë sistemi shtetëror dhe financiar ka mbështetur afera të mëdha korruptive dhe patjetër kësaj i shtohet dhe kriza globale.
E pyetur se si është situata hidrike në Fierzë, Ademi tha se aktualisht nuk prodhohet energji, ndërsa shtoi se kjo duhet të ishte parashikuar më parë nga qeveria.
Voltana Ademi: Fierza është shumë poshtë. Nuk është në funksion, domethënë që ne nuk prodhojmë energji. Kjo duhet të ishte parashikuar më parë. Duhet të kishte një menaxhim ndryshe për të përdorur mirë paratë publike. Situata është ekstremisht shumë e rëndë.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.
