Derveni, fshati i “shtëpive të barit", 3 laboratorë kanabisi janë zbuluar në harkun e 5 ditëve

Fshati Derven në Krujë prej vitesh mbetet në hartën e kuqe të kultivimit të bimëve narkotike.  Por ndryshe nga më parë, kanabisi tashmë po kultivohet në laboratoreë. Tre shtëpi bari janë zbuluar atje në harkun e një jave.

Kjo kullë e vjetër në Derven të Fushë Krujës ishte përshtatur në një Shtëpi Bari.

Aty ishin  vendosur llampa LED dhe kultivohej kanabis sativa.

Jo shumë larg saj në të njëjtin fshat ishte ngritur edhe një tjetër laborator i kultivimit të bimëve narkotike.

Njëra është në pronësi të Gjergji Prenit, 53 vjeç e tjetra e Nertil Lukës 35 vjeç.

I pari përfundoi në prangat e policisë në kuadër të operacionit LED, bashkë me Klaidjon Lukën 26 vjeç,  ndërsa i riu tjetër i shpëtoi arrestimit.

Brenda laboratorëve të kanabisit, ishin vendosur 80 llamba që përdoren për kultivim kanabisi në ambiente të mbyllura, 46 drosela,  22 pllaka metalike te nikeluara për ndriçim të brendshëm, si dhe 2 aspiratorë.

Aty u sekuestruan 17.1 kg kanabis, 7.6 kg kanabis në formë çokollate, 156 fidanë kanabis të kultivuar në vazo e kubikë.

Pak ditë më parë në fshatin Derven u zbulua një tjetër laborator I kultivimit të bimëve narkotike i ngritur brenda një stalle bagëtish.

Babë e bir, Llesh dhe Ernest Luka, përkatësisht 57 dhe 24 vjeç përfunduan në pranga.

Por veçse në ambiente të mbyllura, kanabisi po kultivohet edhe në fusha.

Një 53 vjeçar u vu në pranga pasi kishte mbjelle 440 fidanë mes një parcele me agrume e vreshta në Fushë Milot.

Vetëm pak orë më herët në të njëjtën zonë u zbulua edhe një shtëpi.

Për rastin dy persona përfunduan në pranga dhe një i tretë u shpall në kërkim.