Dalin pamjet nga servisi ku u dogjën 6 makina, kamerat filmuan gjithçka. Kush është pronari problematik?
Ora News ka siguruar pamje nga makinat e djegura në servisin i cili u përfshi nga flakët rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ndodhi në fshatin Leshnicë, në Pogradec në servisin në pronësi të Geri Pengut.
Burime për Ora News bëjnë me dije se Pengu është një emër jo pak i njohur për policinë. Ai njihet si person problematik në fushën e narkotikëve. Në vitin 2008 është proceduar pasi ka shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen.
Ora News mëson se nga kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë janë parë persona të afrohen dhe të kenë hedhur benzinë mbi automjetet duke i vënë zjarrin.
Kanë tentuar edhe herë të tjera që t'i vendosin zjarrin mjeteve. Dyshohet se janë më tepër se 2 persona autorë të ngjarjes, ndërsa policia po punon për t'i identifikuar.
