"Ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet" Enio Jaço kundër Ramës
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço shprehet spektik dhe kundër vendimit të qeverisë për ngritjen e Bordit të Transparencës për Mbikqyrjen e Çmimeve.
"Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë' thotë ai në një postim në facebook.
Jaço nënvizon më tej se ndërhyrja në në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut.
Postimi i plote
"Së fundmi, qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës për mbikqyrjen e çmimeve, një mekanizëm i pazakontë (jo në raste krizash) në funksionimin e rregullave të tregut të lirë.
Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e karburanteve në raport me të ardhurat mesatare. Shkak i kësaj situate kanë qenë politikat e cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave etj. Pikërisht në këtë moment, duhet vlerësuar niveli i konkurreshmërisë së tregut - nëse çmimet jane më të lartat në botë për të ardhura popullsisë atëherë diçka nuk shkon me nivelin e konkurrencës.
Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve.
Por menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë.
Koha dhe historia globale ka treguar që vetëm tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Qeveria mund të përmirësojë kushtet për funksionimin e duhur të tregut, por ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut.
