1.8 milionë fëmijë të larguar nga Ukraina, UNICEF: 2.5 mln të tjerë janë zhvendosur brenda vendit

Kur tashmë bëhet një muaj që kur Rusia nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, luftimet kanë detyruar gratë dhe fëmijët të largohen nga shtëpitë e tyre. UNICEF raporton se rreth 4.3 milionë fëmijë janë zhvendosur nga konflikti, disa prej të cilëve janë territorit, dhe pjesa tjetër në zona më të sigurta.

Më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas, apo rreth 4,3 milionë janë zhvendosur apo larguar nga territoret e Ukrainës.

Kjo statistikë është bërë e ditur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF, ku sipas saj 1,8 milionë janë larguar në vendet fqinje dhe 2,5 milionë janë zhvendosur brenda kufijve të shtetit.

Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e UNICEF ka shtuar se siguria e këtyre fëmijëve është e cënuar, si dhe kanë mungesa të shërbimeve thelbësore, si ushqim apo trajtim mjekësor.

"Ky është një moment historik i zymtë që mund të ketë pasoja të qëndrueshme për brezat që do të vijnë",- është shprehur ajo.

E ndërsa bëhet 1 muaj që kur forcat ruse sulmuan Ukrainën, në qytetet kryesore gjendja sa vjen dhe bëhet më e rëndë.

Qyteti i dytë më i madh në vend, Kharkiv vazhdon të bëjë rezistencë, por tashmë shumica e banorëve janë larguar, e ndërsa të mbeturit aty vuajnë mungesën e furnizimeve me ushqime, ujë apo energji.

Ndërkohë edhe qarkullimi i mjeteve është paralizuar, dhe gratë e fëmijët janë detyruar të përshkojnë në këmbë dhjetra kilometra për t’u larguar nga fronti i parë i luftës.

Sipas vlerësimit të fundit të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtes së Mbretërisë së bashkuar, forcat ukrainase po kryejnë kundërsulme të suksesshme.

Në raport thuhet se Ukraina po tenton të shkatërrojë aftësinë e trupave rusë, për të mos rifilluar ofensivën ndaj Kievit apo qyteteve të tjera në verilindje të vendit.