Në Ukrainë vetëm ekipe për armë biologjike, Stoltenberg: Nëse çojmë trupa, futemi në luftë me Rusinë
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ripërsëritur thirrjen se Aleanca nuk do të çojë trupa në Ukrainë për të shmangur një luftë në shkallë të gjerë me Rusinë, por megjithatë ai premtoi se do të dërgonte disa ekipe për ekzaminimin e armëve biologjike dhe kimike nga Rusia.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bëri me dije në një konferencë për mediet se do të çonte disa ekipe në Ukrainë pas shqetësimeve për përdorimin e armëve kimike e biologjike.
Stoltenberg: Liderët e NATO-s ranë dakord për të forcuar mbështetjen për Ukrainën nga sulmet kibernetike dhe mbrojtjen kundër kërcënimeve kimike dhe nukleare.
Kreu i Aleancës ripërsëriti edhe njëherë deklaratën e tij se Aleanca nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, pasi kjo do të shkaktonte një luftë në shkallë të gjerë me Rusinë.
Stoltenberg: NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë sepse nuk duam të përshkallëzojmë situatën më tej, duke nisur një luftë në shkallë të gjerë por sigurisht që do të çojmë armë, tanke dhe sisteme të tjera të cilat nuk mund t’i përmend me detaje tani. Liderët e NATO-s pranuan që të forcojmë krahun lindor të Evropës me grupe luftarake në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki. Ramë dakord që forcojmë mbështetjen ndaj Ukrainës në mënyrë domethënëse duke rritur asistencën e saj mbrojtëse.
Presidenti Zelensky gjatë samitit të jashtëzakonshëm iu adresua liderëve të NATO-s ku ju kërkoi edhe njëherë armë dhe tanke në mënyrë që të shmangen humbjet e jetëve.
Zelensky: Nuk janë gabimet tuaja, nuk janë bombat tuaja që po shkatërrojë qytetet tona. Këtë mëngjes, forcat ruse hodhën bomba me fosfor. Të rritur dhe fëmijë u vranë sërish. Thjesht dua t’ju bëj me dije. Aleanca mund të shmangë vdekjet e ukrainasve nga sulmet ruse duke na dhënë armët që kemi nevojë.
Samiti i jashtëzakonshëm i liderëve të NATO-s u mbajt të enjten në Bruksel me pjesëmarrjen e presidentit Joe Biden.
Të enjten, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, pranoi edhe shtyrjen e afatit të përfundimit të mandatit të tij.
Stoltenberg nisur edhe nga situata aktuale do të qëndrojë në krye të NATO-s deri në 30 shtator të vitit 2023, dhe jo deri në vjeshtën e këtij viti.

