Qeveria u ofron azil 1-vjeçar ukrainasve e personave që largohen nga lufta, krijohet edhe një Task-Forcë

Qeveria shqiptare ke vendosur që t’i ofrojë ndihmë shtetasve ukrainas, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë me strehim në vendin tonë.

Përmes një VKM-je të publikuar në Fletoren Zyrtare ditën e sotme bëhet me dije se do tu jepet mbrojtje e përkohshme shtetasve me shtetësi ukrainase, personave pa shtetësi, dhe personave që kanë fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare në Ukrainë.

Kështu, shteti shqiptarë do tu japë strehim gjithë atyre  hyjnë masivisht në territorin e Republikës së Shqipërisë për arsye të luftës.

Në vendim thuhet se mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.

Nga ana tjetër qeveria ka krijuar edhe një Task-Forcë, si një strukturë e posaçme e përkohshme me afat 1-vjeçar, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare të këtyre personave.

Vendimi i plotë:

Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve ukrainas, Personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje Ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm Ose të përhershëm në Ukrainë, si dhe për krijimin e Task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes Ndërkombëtare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në

Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën

dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi ukrainase, personave pa shtetësi

dhe personave që kanë fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të

përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, që hyjnë masivisht në territorin e Republikës së

Shqipërisë për arsye të luftës, cenimit të jetës së civilëve të pambrojtur, përshkallëzimit të

veprimeve të armatosura ndaj popullsisë civile, që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.

2. Mbrojtja e përkohshme jepet edhe për ata shtetas ukrainas apo persona pa shtetësi dhe

persona që kanë fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të

përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, të cilët kanë hyrë dhe po qëndrojnë në territorin e

Republikës së Shqipërisë për shkaqet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e

Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.

4. Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshme të gjithë personat të cilët plotësojnë

një nga kushtet e përcaktuara në nenin 83, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në Republikën e

Shqipërisë”.

5. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet

liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast,

sipas përcaktimeve të neneve 46 e 47, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në Republikën e

Shqipërisë”.

6. Krijimin e Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme me afat 1-vjeçar, për

menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit e përcaktuar në

pikën 1, të këtij vendimi.

7. Task-Forca kryesohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe në

përbërje ka këta anëtarë:

- Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;

- Ministrin e Mbrojtjes;

- Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;

- Ministrin e Arsimit dhe Sportit;

- Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

- Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;

- Ministrin e Drejtësisë.

7.1. Sipas nevojave, ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera, me kërkesë të

drejtuesit të Task-Forcës.

7.2. Kur për shkaqe të arsyeshme, ministri drejtues apo ministri anëtar nuk mund të marrë

pjesë në mbledhje, atëherë në vend të tij merr pjesë, përkatësisht, zëvendësministri, përfaqësues i

ministrit në mungesë ose një përfaqësues i nivelit të lartë drejtues, i autorizuar prej tij.

2

8. Task-Forca e përmendur në pikën 7, të këtij vendimi, ka këto detyra:

a) Negocion me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi;

b)  Harton  planin  e  veprimit  për  menaxhimin  e  fluksit  të  kërkuesve  të  mbrojtjes

ndërkombëtare, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi;

c) Koordinon situatën e pritjes dhe akomodimit të shtetasve, përcaktuar në pikën 1, të këtij

vendimi;

ç) Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të

kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion;

d) Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme

materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim;

dh) Koordinon punën për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen

psikosociale të fëmijëve që i përkasin moshës së arsimit parauniversitar, në përputhje me kuadrin

ligjor në fuqi.

9. Sekretariati teknik i Task-Forcës është drejtoria përgjegjëse për azilin, pranë Ministrisë së

Brendshme.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria

e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit,

Ministria e Drejtësisë,  Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Ministria e Financave dhe

Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama