Një muaj nga pushtimi rus, Zelensky bën thirrje për protesta globale përpara samitit të NATO-s
Ndërsa Ukraina hyn në muajin e dytë të sulmit rus, presidenti ukrainas Zelenski u ka bërë thirrje njerëzve anë e mbanë botës të lënë shtëpitë dhe punët dhe të dalin nëpër rrugë në mbështetje të vendit të tij.
Zelenksi: Tregoni qëndrimin tuaj. Dilni nga zyrat tuaja, shtëpitë, shkollat dhe universitetet. Ejani në emër të paqes. Ejani me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën. Dilni në sheshet e rrugët tuaja. Thoni se njerëzit kanë rëndësi, se liria ka rëndësi, se paqja ka rëndësi, se Ukraina ka rëndësi.
Kreu i shtetit shprehet se Ukraina është vetëm fillimi i mposhtjes së lirisë për të gjithë njerëzit dhe se Putin nuk do të ndalet vetëm me kaq.
Zelenski: Rusia e filloi luftën kundër lirisë ashtu siç është. Ky është vetëm fillimi për Rusinë në tokën ukrainase. Rusia po përpiqet të mposhtë lirinë e të gjithë njerëzve në Evropë, lirinë e të gjithë njerëzve në botë. Rusia përpiqet të tregojë se vetëm forca mizore ka rëndësi.
Në shumë vende të botës, madje edhe në Moskë e Shën Pjetërburg janë mbajtur protesta të vazhdueshme në mbështetje të Ukrainës që prej 24 shkurtit, më e fundit ishte në Stacionin Qendror të Nju Jorkut, në Manhatan.
Fjalimi i Zelensky erdhi disa orë përpara një samiti të NATO-s në Bruksel, ku vendet perëndimore pritet të bien dakord për dërgimin e përforcimeve në Evropën Qendrore dhe Lindore për të forcuar mbrojtjen e bllokut.
Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në takim në ditën që shënon një muaj nga fillimi i pushtimit rus.
