9-vjeçari luan piano për Ukrainën, kërkon paqe përmes tingujve të muzikës
Paqe në Ukrainë përmes tingujve të pianos. Është kjo kërkesa e pianistit 9 vjeçar nga Greqia për liderët që t’i japin sa më parë luftës. Stelios Kerasidis, autori i “valsit të izolimit” gjatë pandemisë tashmë vjen me një tjetër mesazh të fortë për shoqërinë.
Ajo çfarë po ndodh në Ukrainë nuk po shqetëson vetëm të rriturit. Edhe të vegjlit kanë një apel për liderët e përfshirë të cilëve u kërkohet edhe përmes tingujve muzikorë që të t’i japin fund konfliktit të përgjakshëm që po zhvillohet prej më shumë se 4 javësh.
Mesazhi i radhës për paqe vjen nga një djalosh 9-vjeçar nga Greqia, i cili ka dhe një lutje për popullin ukrainas.
“Nuk mund të duroja më të shihja kaq shumë dhimbje dhe kaq shumë njerëz që vuanin më. Armët e mia janë pianoja dhe notat e mia dhe me këtë pjesë do të doja të dërgoja një mesazh muzikor për paqe në mbarë botën. Ne jemi fëmijë, ne kemi të drejtën për paqe. Ju lutemi ndaloni këtë luftë”, shprehet vogëlushi.
Stelios Kerasidis konsiderohet një talent në piano dhe ka fituar një çmim Global Child Prodigy pak javë më parë.
Po ashtu ai ka interpretuar në skenë që kur ishte 3 vjeç, si dhe ka dhënë shfaqje në skena prestigjioze si: “Carnegie Hall” të Nju Jorkut, apo dhe në “Royal Albert Hall”, të Londrës.
Ai është greku më i ri që studion në akademinë e muzikës “Schola Cantorum”, të Parisit.
Kerasidis tërhoqi vëmendjen e publikut artdashës gjatë kohës së pandemisë, me kompozimin e tij të cilin e titulloi "Valsi i izolimit", dhe që e shkroi për të inkurajuar njerëzit të qëndronin në shtëpi gjatë periudhës së karantimit.
