Ukraina një muaj luftë me agresionin rus
Të enjten, 24 mars 2022, Ukraina ka shënuar 1 muaj makth që prej fillimit të sulmit nga Rusia në 24 shkurt.
Për të 29-tën ditë radhazi, Rusia vijon sulmet me raketa në të gjithë Ukrainën dhe infrastrukturën e saj ushtarake në Kiev, Chernihiv, Kharkiv, Mariupol dhe rajone të tjera.
Si rrjedhojë forcat ruse kanë sulmuar edhe civilët.
Të paktën 121 fëmijë janë vrarë në një muaj dhe 167 të tjerë janë plagosur.
Qindra ndërtesa, shkolla e spitale për të mos thënë komplekse të tëra pallatesh janë shkatërruar në harkun e një muaji.
Qyteti më i goditur mbetet ai në jug të Ukrainës, Mariupol.
Mbi 3 milionë e gjysmë ukrainas janë larguar nga vendi drejt shteteve të BE-së, ku Polonia mban rekordin e mikpritjes duke strehuar më shumë se 2 milionë persona.
Forcat ukrainase kanë arritur t’i bëjnë ballë agresionit rusë.
E siç pranohet edhe nga agjencitë inteligjente të vendeve perëndimore, Rusia ka humbur mijëra trupa e sisteme të ndryshme artilerish.
Ukraina pretendon se rreth 16 mijë rusë janë vrarë që prej 24 shkurtit, e po ashtu forcat ukrainase kanë shkatërruar mbi 500 tanke, mbi 100 avionë e helikopterë dhe dhjetëra pajisje të tjera speciale.
Rusia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të rifilluar operacionet sulmuese në Kiev, Sumi, Karkiv e Çernhiv.
Vendet perëndimore thonë se rusët kanë ngecur të paktën në Kiev.
Një përparim goxha i madh është realizuar në Kerson.
I gjithë rajoni tashmë kontrollohet nga forcat e Moskës.
Atje pritet që në javët në vazhdim të blihet me monedhën ruse, Rubla.