Gjermania e prerë: Jo zonë ndalim-fluturimi nga NATO

Gjermanët janë të prerë se nuk duhet të ketë zonë ndalim-fluturimi nga NATO për luftën në Ukrainë. Për kancelarin gjerman, NATO nuk duhet të bëhet pjesë e luftës, pavarësisht kërkesave të shpeshta të presidentit Zelenski.

"NATO nuk bëhet palë në luftë", tha Scholz nga foltorja e Bundestagut.

Një pikë tjetër që preku kancelari Scholz ishte edhe kriza energjitike për shkak të sanksioneve.

Ai tha sugjerimet për një embargo të menjëhershme ndaj furnizimeve energjitike ruse duhet të shihen me kujdes, pasi ndikimi në Evropë do të ishte shkatërrues.

Për kancelarin gjerman Evropa do t'i jap fund varësisë së saj energjetike nga Rusia, por që ta bëj këtë brenda natës do të rrezikonte qindra mijëra vende pune dhe sektorë të tërë industrialë. Qeveria gjermane ka gati një paketë të dytë ndihmëse prej 15 miliard eurosh për të lehtësuar barrën e familjeve nga rritja e kostove energjitike.

"Sanksionet nuk duhet t'i dëmtojnë shtetet evropiane më shumë se ç’po bën udhëheqja ruse," tha Scholz.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka ekspozuar varësinë e madhe të Gjermanisë nga Moska për importet e energjisë. Gjermania merr rreth gjysmën e gazit dhe qymyrit të saj, si dhe afërsisht një të tretën e naftës së saj nga Rusia. Ajo është veçanërisht e ekspozuar ndaj pasojave pasi është në procesin e ndërprerjes së furnizimit nga energjia bërthamore dhe qymyri, ku po përpiqet të përshpejtojë furnizimin me burime të rinovueshme si era dhe energjia diellore.