Rreziqet e afërta për katastrofa klimatike

“Jemi duke ecur somnambul drejt shkatërrimit”, ishte apeli i shefit të OKB-së Guterres për situatën në të cilën ndodhet sot bota me ngrohjen globale. Sipas tij, kthimi te përdorimi i qymyrit është një problem i madh për emetimet e karbonit. Këtë fundjavë shkencëtarët regjistruan temperatura të larta rekord në Anktartidë dhe Polin e Veriut. Sipas tyre, duhet të përgatitemi për më të keqen, me uri, prishje të zinxhirit ushqimor, thatësirë dhe cunami e tajfune.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka paralajmëruar se bota po ec somnambul drejt katastrofave të reja klimatike me përdorimin e gjerë të lëndëve djegëse që po bën. Sipas tij, për shkak të luftës në Ukrainë, ka një përdorim masiv të qymyrgurit dhe resurseve të tjera, gjë që kërcënon shumë objektivat globale të klimës.

Pushtimi i Ukrainës ka sjellë rritje të shpejtë të çmimeve të qymyrit, naftës dhe gazit, ndërsa shumë vende në botë përpiqen t’i zëvendësojnë burimet ruse të energjitikës.

Antonio Guterres paralajmëron se këto masa të ndërmarra mund të "mbyllin dritaren" për qëllimet klimatike që ka vendosur Marrëveshja e Parisit. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve, përfshirë Kinën, të heqin plotësisht nga përdorimi qymyrin deri në vitin 2040.

Ngrohja globale duhet kufizuar në 1.5 gradë celcius për vitet në vijim, pasi bota kërcënohet nga uragane dhe shfarosje masive të gjallesave në Tokë e prishje të zinxhirit ushqimor. Marrëveshjet e ndryshme klimatike kërkojnë një reduktim prej 45 për qind të emetimeve globale deri në vitin 2030 dhe mosemetim të karbonit në hapësirë deri në 2050.

Ekspertët thonë se rruga që duhet të ndjekim është ndërtimi i koalicioneve për të ndihmuar ekonomitë e mëdha në zhvillim që të largohen me shpejtësi nga karburantet fosile. Paratë janë një nga problemet kryesore në adresimin e çështjes së klimës dhe aktorët më të lartë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për rritje të madhe të ndihmës financiare për të ndihmuar vendet në zhvillim ose të varfra të përshtasin teknologjinë për të emetuar sa më pak karbon në hapësirë.

Së fundmi, si pasojë e ngrohjes globale, shkencëtarët janë të alarmuar për prishjen e Barrierës së Madhe koralore në Australi. Gjallesa të shumëta detare dhe një nga bukuritë më të mëdha të njerëzimit rrezikon të shuhet për shkak të ngrohjes globale.

Edhe në Pole, në Anktartidë dhe në Polin e Veriut, shkencëtarët janë alarmuar pasi kanë regjistruar temperature shumë të larta, të cilat nuk janë regjistruar asnjëherë më herët. Kjo ka sjellë edhe shqetësim të shtuar te të gjithë ekspertët e klimës për shpejtësinë me të cilën po shkrihen akullnajat.