Paralajmërimi i Bidenit për luftën: Të dhëna të qarta se Putini mund të përdorë armë kimike në Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Biden ka folur për të dhëna të qarta se Putini mund të jetë duke menduar përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Përdorimi i këtyre armëve është i ndaluar nga konventat ndërkombëtare dhe përbën krim kundër njerëzimit. Ndërkohë, shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte edhe një paralajmërim për kompanitë amerikane që të ruhen nga ndonjë sulm kibernetik i hakerave rusë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden ka paralajmëruar se Putini mund të përdorë armë kimike ose biologjike në luftën në Ukrainë. Sipas Bidenit tani ai është me shpatulla pas murit për shkak të rezistencës së fortë ukrainase.

Shërbimet e inteligjencës amerikane thonë se rusët po kërkojnë që të ndërmarrin sulme të reja, të ashtuquajtura me "flamur të rremë" – dhe kjo me qëllimin për të fajësuar palën tjetër dhe për të përshkallëzuar situatën.

Në fillim të marsit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Jake Sullivan, paralajmëroi rusët se Moska do të përballet me pasoja të rënda nëse vendos të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë. Sipas ekspertëve të sigurisë, përdorimi i këtyre armëve do të ishte një sfidë e fortë për NATO-n.

Më herët, këto armë janë përdorur nga diktatori siran Assad në luftën e Sirisë, ku mijëra sirianë mbetën të vdekur nga gazi sarin. Ishte një krim i tmerrshëm që sipas konventave ndërkombëtare cilësohet krim kundër njerëzimit apo gjenocid.

Rusët ndërkaq i kanë mohuar këto akuza, duke akuzuar amerikanët se janë ata që kanë laboratorë sekret për armë biologjike në Ukrainë.

Një paralajmërim tjetër i presidentit amerikan për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë ishte edhe përgatitja nga ana e rusëve për sulme të mundshme kibernetike kundër kompanive amerikane.

Më 24 mars presidenti amerikan Biden pritet të mbërrijë në Bruksel për takime të rëndësishme me liderët evropianë dhe vendet anëtare të NATO-s për masat e përbashkëta sa i përket luftës në Ukrainë.