SHBA deklaron se ushtria e Mianmarit ka kryer gjenocid

Amerikanët kanë vendosur ta cilësojnë gjenocid sulmin ushtarak ndaj popullsisë civile të Rohingave në Mianmar. Në 2017-ën, nën pretekstin se po sulmonin ekstremistët, ushtria ndërmori një hap për të shfarosur këtë popullsi. Sot Mianmari qeveriset nga një juntë ushtarake, ndaj edhe mund të ketë sanksione nga OKB-ja dhe amerikanët për këtë veprim kriminal.

Qytetarët e etnisë Rohinga u vranë, ju dogjën shtëpitë dhe u përdhunuan nga ushtria birmaneze për shkak të etnisë së tyre dhe besimit fetar të ndryshëm nga sa mendonte qeveria qendrore e Mianmarit pak vite më parë. 

Rohingat janë përshkruar nga shefi i OKB-së Antonio Guterres si një nga popullsitë më të diskriminuara në botë. Në gusht të vitit 2017, ushtria e Mianmari ndërmori një fushatë spastrimi vdekjeprurës ndaj myslimanëve Rohingya. Qindra mijëra prej tyre u larguan më këmbë në Bangladesh.

Kombet e Bashkuara e cilësuan menjëherë si spastrim etnik, ndërsa ushtria avanconte për t’i shfarosur dhe rohingat largoheshin të tmerruar përmes detit apo më këmbë nëpër pyje.

Në janar 2020, OKB-ja urdhëroi Mianmari meshumicë budiste të marrë masa për të mbrojtur anëtarët e komunitetit të tij Rohingya nga gjenocidi. Por ushtria arsyetoi se po luftonte militantët Rohingya jo civilët, pavarësisht se pamjet flisnin krejt të kundërtën. Udhëheqësja e Mianmarit, dikur Burma, Aung San Suu Kyi, dikur një ikonë e të drejtave të njeriut, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për gjenocid.

Këtë javë do të ishin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që deklarojnë zyrtarisht se aktet e shfarosjes kundër popullsisë Rohingya përbëjnë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se gjenocid është kryer shtatë herë në histori. Sot shënohet e teta. Kemi dalë në përfundimin se anëtarët e ushtrisë birmaneze kryen gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, " -tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një fjalimi në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington, DC.

 “Sulmi kundër Rohingyave ishte i gjerë dhe sistematik, gjë që ishte vendimtare për arritjen e një përcaktimi që është krim kundër njerëzimit. Provat tregojnë gjithashtu për një qëllim të qartë pas këtyre mizorive masive, qëllimin për të shfarosur Rohingya tërësisht ose pjesërisht”,- tha sekretari i Shtetit Blinken.

Nga 1,000 refugjatët Rohingya me të cilët hetuesit amerikanë folën përpara se të bënin cilësimin si gjenocid, Blinken tha se tre të katërtat "kanë qenë dëshmitarë kur anëtarët e ushtrisë kanë kryer vrasje, ndërsa më shumë se gjysma kanë qenë dëshmitarë të akteve të dhunës seksuale dhe një në pesë ka qenë dëshmitar i një ngjarjeje me vrasje masive.

Por kjo është hera e parë që zyrtarët amerikanë kanë zgjedhur t'i përcaktojnë ngjarjet në Mianmar si "gjenocid" .

Ky akt mund të sjellë një sërë pasojash të mundshme në skenën botërore, duke përfshirë kufizime në ndihmë dhe sanksione shtesë kundër ushtrisë së Mianmarit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë ndërkombëtare të personave përgjegjës për këtë ngjarje kriminale.