Autoritetet ruse po promovojnë një aplikacion që tani ka më shumë përdorues se WhatsApp

Telegrami në Rusi ka tejkaluar WhatsApp-in për nga numri i përdoruesve dhe është bërë platforma më e njohur për komunikim të menjëhershëm, njoftoi sot kompania ruse e telekomunikacionit Megafon. 

Pronari i WhatsApp Meta Platforms është në proces gjyqësor në Rusi me akuzën se është një "organizatë ekstremiste", kështu që autoritetet po promovojnë në mënyrë aktive aplikacionin Telegram pas ndalimit të platformave të huaja si Facebook, Instagram dhe Twitter.

Operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ka përkeqësuar më tej mosmarrëveshjet ekzistuese midis kompanive të huaja të teknologjisë dhe Moskës. 

Megafon, një nga katër operatorët më të mëdhenj të telekomunikacionit në Rusi, publikoi një analizë të trafikut të internetit në celular, duke treguar se përqindja e Telegram u rrit në 63 përqind në dy javët e para të marsit nga 48 përqind në të njëjtën periudhë në shkurt.

Pjesa e WhatsApp ra nga 48% në 32%, tha Megafon. Përdoruesi mesatar i Telegram-it konsumonte 101 megabajt të dhëna në ditë krahasuar me 26 në WhatsApp. 

Telegram u themelua nga rusi Pavel Durov dhe ky aplikacion ka qenë prej kohësh një platformë popullore për informimin e rusëve. Pothuajse të gjitha mediat kryesore, agjencitë qeveritare dhe figurat publike kanë kanalet e tyre në atë rrjet.

Popullariteti i tij "është rritur pas kufizimeve në aksesin në aplikacione të tjera të komunikimit dhe rrjeteve sociale", raportoi Megafon, duke shtuar se numri i përdoruesve ishte rritur që nga 24 shkurti, ditën kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë.