Putin "i bie" Navalnyt, kritiku i Kremlinit dënohet edhe për një akuzë tjetër
Ndërsa shumë raporte nga medie dhe ministri të huaja raportojnë se forcat ruse kanë pësuar sprapsje në Ukrainë, një Gjykatë në Moskë ka shpallur fajtor kritikun e Kremlinit për një akuzë të re, e cila mund të rrisë masën e tij të dënimit.
Një Gjykatë ruse të martën ka shpallur fajtor kritikun e Kremlinit Aleksi Navalni, për akuzën e përvetësimit të parave, çka mund ta rriste ndjeshëm masën e tij të dënimit.
Gjyqtarja e çështjes tha se Navalni ka kryer mashtrim dhe vjedhje prone nga një grup i strukturuar.
Gjyqi i së martës kishte të bënte me përvetësime shtesë të parave dhe shpërfillje të akuzave gjyqësore.
Hetuesit e akuzuan Navalnin për përvetësime të donacioneve prej disa miliona dollarë të cilat u dhuruan për organizatën e tij politike.
Navalni, kritiku më i zëshëm i presidentit Vladimir Putin u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim për akuzën e mashtrimit, pasi i mbijetoi një sulmi me agjentin nervor Noviçok për të cilin ai fajësoi Kremlinin.
Helmimi i aktivistit në vitin 2020 dhe arrestimi i tij pas kthimit nga rehabilitimi në Gjermani vitin e kaluar, solli një valë sanksionesh kundër Moskës nga kryeqytetet perëndimore.
Pas arrestimit të Navalnit, organizatat politike të tij në të gjithë Rusinë u shpallën ekstremiste dhe më pas u mbyllën dhe shumë ndihmës të aktivistit u larguan nga vendi nga frika e ndjekjes penale.
