Shehi: Seferi meriton kombëtaren, tani duhen pikët. Vanolin e kënaq loja e Dinamos

Trajneri Orges Shehi sigurisht që ishte i kënaqur me fitoren në derbi edhe pse e pranoi se në raste të tilla mjaftojnë pikët dhe jo spektakli teksa kërkoi edhe grumbullimin e Seferit në kombëtare.

“Ishte ndeshje e vendosur nga episodet, ndeshje e sikletshme. Në pjesën e parë kishim rastet tona, por edhe kundërshtari. Penalltia e Ibraimit? Në derbi, episodet janë të rëndësishme, janë tri rezultate. Mund të mbyllej barazim, por më vjen mirë që fituam. Është në strategjinë e klubit që të rinjtë duhet të marrin minuta, ne akoma nuk e kemi mbyllur kampionatin dhe në vazhdimësi mund t’u japim minuta lojtarëve të rinj. Seferi? Medoj se e meriton të jetë pjesë e përfaqësues, është në listë pritjeje. Të mos harrojmë që janë dy ndeshje miqësore. Në sfidat zyrtare mendoj se do të jetë pjesë e kombëtares. Fjala titull? Kurrsesi nuk mund të themi që kemi dalë kampion, kur kjo nuk ka ndodhur. Nuk duam që skuadra të ulë ritmin, të futet në stres. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kemi kohë për të festuar”, u shpreh trajneri i bardhebluve.

Ndërkohë që Vanoli në debutim ka mbetur i kënaqur nga paraqitja por jo rezultati dhe me besim u shpreh se me paraqitje të tilla, Dinamo është e vështirë për t’u mundur.

“Komplimente Tiranës, e ka treguar se e meriton të jetë në krye. Të dhemb kur humb pas një paraqitje të tillë. Lojtarët treguan një nivel shumë të lartë, në aspektin tekniko-taktik dhe sa i përket edhe shpirtit të garës. Nëse vazhdojmë të luajmë si sot, vështirë të humbim. Sot luajtëm me këtë sistem loje, sepse menduam se ishte më i përshtatshmi për të vendosur kundërshtarin në vështirësi. Të gjithë e panë paraqitjen shumë të mirë të lojtarëve të mi, më vjen keq për ta. Krijuam më shumë raste, e goditëm më shumë portën kundërshtare se Tirana. Kjo do të thotë se kemi bërë një punë të mirë, ndeshja tjetër do të jetë ndryshe. Për mua është ndeshja e parë sot, nuk shoh se çfarë ka ndodhur më para. Jam i bindur se lojtarët do të përmirësohen në vazhdim”, deklaroi në fjalën e tij trajneri italian./Ora News/.