Tirana merr edhe derbin tjetër, Dinamo në “pikë të hallit”

Teksa rivalët për mbijetesë fituan, Dinamo nuk mori asnjë pike duke përkeqësuar shumë situatën në Superiore. Në Derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, janë kryesuesit që arrijnë të fitojnë pa shumë sforco dhe me shumë eksperiencë teksa Dinamo me trajner të ri duket më ndryshe por sërish me probleme.

Në pjesën e parë, skuadra e Vanolit ishte shumë e rrezikshme dhe më kërkuese por shpërdorojnë shumë para porte teksa edhe golin që e shënojnë me Samake u anulohet në 23’ me VAR. Edhe Tirana ka shanse në pjesën e parë me Devid por portieri Simoni mban në lojë blutë.

Gjithsesi në pjesën e dytë është edhe më e hapur nga të dyja ekipet që kërkojnë golin dhe që vjen në 69’ për bardheblutë me brazilianin Devid.

Dinamo hidhet përpara dhe ka mundësinë më të mirë për të barazuar pas një penalltie të akorduar me VAR në 87’ për prekje me dorë por Ibraimi gabon në mënyrë të pafalshme. Portieri Bekaj bëhet protagonist duke ruajtur 3 pikët e fitores për Tiranën që tashmë shikon titullin të afrohet ndërsa për Dinamon shihen fantazmat e Kategorisë së Parë./Ora News/.