Plori zbulon ku gaboi Vllaznia. Mehmeti: Të vjen keq të humbasësh kështu
Partizani dhe Vllaznia humbën ndeshjet e tyre respektive në Superiore sot duke bërë një hap pas në garën për kupat e Europës edhe pse janë të dyja ekipet në Kupë ende.
Trajneri Plori, në detyrën e parë pas largimit të Brdariç theksoi se skuadra bëri gabime dhe se ndërprerja do t’i shërbejë skuadrës.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por kishim edhe mungesa dhe ato ndikuan shumë. Loja kishte episode e veta, por mendoj se edhe humbja ndaj Tiranës i kishte ndikuar shumë lojtarët. Pushimi i kampionatit, normalisht që do ndikojë për mirë si nga ana psikologjike, por edhe sepse do mund të rekuperohen lojtarë që janë pjesë e rëndësishme e skuadrës. Kishim sot disa gabime në vendosje dhe disa herë kishim pozicione jashtë loje, por e rregulluam më pas. Mendoj se kishte disa arsye pse nuk shkoi mirë, disa episode në lidhje me vendosjen, por edhe pjesa e golit të parë mbetet për t’u parë. Me këtë situatë që është skuadra nëse kundërshtari kalon në avantazh, është një goditje e madhe. Pjesa e dytë nisi mirë, por nuk ia fal gabimin Heric, që na la me 10 lojtarë në fushën e lojës, pasi si nga ana psikologjike ashtu edhe në pozicionim na ndikoi”, u shpreh trajneri Plori.
Te Partizani, ka zhgënjim. Trajneri Mehmeti pranon se sot mungoi edhe fati por më shumë ishte për mungesën e konkretizimit pasi sipas tij ekipi e kishte në dorë fitoren.
“Ne ishim përgatitur që do ta kishim të vështirë. Megjithatë duhet ta kërkojmë te vetja. Humbja e penalltisë na dekurajoi. Në të tilla fusha nuk ke mundësi të tjera për të mbyllur ndeshjen. Në futboll duhet dhe pak fat, port fatin duhet ta dish si ta kërkosh. Gjithsesi të vjen keq të humbasësh këto ndeshje, sepse në shumë raste kontrastet kalojnë limitet e “fair-play”. Penalltitë? Jo vetëm tek penalltia, por të shikosh mënyrën si i humbasin rastet, është aspekti psikologjik i lojtarëve. Lojtari duhet të jetë më i ftohtë. Kam provuar shumë herë dhe më i sakti ka qenë Kallaku. Ai është në listën e parë. Duhet lojtari të jetë ai që ta kërkoi që nuk është në gjendje emocionale për ta goditur. Unë kur kam diskutuar me skuadrën nuk është se kërkuan mendim. Për golin ishte një kundërsulm që duhet ta menaxhonim më mirë, por jam i bindur që ishte faull në fillim të aksionit. Nuk e kuptoj pse VAR-i nuk ndërhyn. Këto nuk janë justifikime, por e kemi parë në ndeshjet e kaluara, Partizani ka marrë dy kartonë të kuq”, deklaroi Mehmeti në fund të ndeshjes./Ora News/.
