Partizani humbet trenin e Europës, Egnatia i jep leksion Vllaznisë pa Brdariç
Dy ndeshje shumë të rëndësishme të javës së 26-të të Superiores u zhvilluan në mesditë.
Në Kamëz, ishte Kastrioti që vijon të impresionojë me formën fantastike teksa mposhti Partizanin 1-0. Të kuqtë humbasin pas dy barazimesh radhazi dhe sot ndërlikojnë shumë Europën përmes kampionatit.
Skuadra e Mehmetit nuk arriti të bënte diçka më shumë se në sfidat e tjera ku në pjesën e parë pati vetëm një rast në 45’ për të shënuar por Junior e shpërdoroi, sërish me portën bosh si në derbi.
Në pjesën e dytë, Partizani sërish mund të shënonte me një penallti të akorduar me VAR por Kallaku nga pika e bardhë e shpërdoron duke e nxjerrë jashtë.
Duket që nuk është dita e Partizanit sepse Kastrioti shënon me rastin e parë konkret dhe e bën në 80 me brazilianin Kaina me kokë. 1-0 mbyllet sfida që dënon Partizanin por e bën Kastriotin të shkëputet nga zona e “kuqe”.
Në duelin tjetër, Egnatia i dha një leksion të mirë Vllaznisë duke fituar 3-0 ndaj shkodranëve të cilët luajtën të parën pa Brdariç në stol i cili u shkarkua në mesjavë.
Paraqitja e Vllaznisë ishte shumë ndryshe nga herët e tjera dhe me meritë vendasit fituan teksa ishte një shfaqje personale e Pedro Augusto me tripletë.
Në të parën, Augusto shënoi në 31’ teksa miqtë iu përgjigjën por jo në mënyrë të saktë. Edhe në të dytën ishte e njëjta panorama teksa Pedro Augusto vendos të mbyllë ndeshjen me dy gola të tjerë në 79’ dhe 87’. Duhet theksuar se në 64’ Heriç la Vllazninë me 10 lojtarë por gjithsesi, Egnatia nuk vodhi asgjë, fitoi me meritë./Ora News/.

